Rama fajëson “pazaret politike” për problemin me mbeturinat, thotë se nga e hëna shërbimi i mbledhjes së mbeturinave kthehet në normalitet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar në lidhje me problemin me mbeturinat që po ndodh tash e sa ditë në Prishtinë, pasi ndërmarrja KRM “Pastrimi” ka ndërprerë aktivitetin e saj, pasi kanë deklaruar se Komuna i ka borgj 2.7 milionë euro. Rama ka thënë se kjo që ka bërë kompania është “kulmi i papërgjegjësisë…

Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar në lidhje me problemin me mbeturinat që po ndodh tash e sa ditë në Prishtinë, pasi ndërmarrja KRM “Pastrimi” ka ndërprerë aktivitetin e saj, pasi kanë deklaruar se Komuna i ka borgj 2.7 milionë euro.
Rama ka thënë se kjo që ka bërë kompania është “kulmi i papërgjegjësisë institucionale dhe i një praktike të përsëritur të shantazhit”, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se kjo ndërmarrje është përdorur si instrument shantazhi për interesa të ngushta.
“Si kryetar i Prishtinës, ju siguroj që qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt. Gjatë gjithë vikendit, ekipet tona alternative kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në terren, 24 orë, për të rikthyer situatën nën kontroll. Që nga dita e hënë, shërbimi do të rikthehet në normalitet. Qytetarët e kryeqytetit as nuk duhet e as nuk meritojnë të përballen me situata të tilla që cënojnë shëndetin publik dhe dinjitetin qytetar, dhe ju siguroj që kjo nuk do të ndodhë më”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se logjika e bllokadës dhe shantazhit është bërë mjet i politikbërjes.
Postimi i tij i plotë:
Po shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet alternative që kemi në dispozicion për të menaxhuar situatën me mbeturinat, e cila është shkaktuar nga ndërprerja e shërbimeve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Ky është kulmi i papërgjegjësisë institucionale dhe i një praktike të përsëritur të shantazhit.
Përkundër miliona eurove të investuara ndër vite, shërbimi i kësaj ndërmarrjeje ka qenë i paqëndrueshëm dhe, për fat të keq, është përdorur si instrument shantazhi për interesa të ngushta.
Si kryetar i Prishtinës, ju siguroj që qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt. Gjatë gjithë vikendit, ekipet tona alternative kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në terren, 24 orë, për të rikthyer situatën nën kontroll.
Që nga dita e hënë, shërbimi do të rikthehet në normalitet. Qytetarët e kryeqytetit as nuk duhet e as nuk meritojnë të përballen me situata të tilla që cënojnë shëndetin publik dhe dinjitetin qytetar, dhe ju siguroj që kjo nuk do të ndodhë më!
Po ashtu, më lejoni të jem i qartë: si kryetar i Prishtinës, nuk kam ardhur për tu bërë pjesë e pazareve politike. Nuk marr pjesë në takime të fshehta ku negociohen interesa personale, e as nuk bëj koalicione për të bllokuar apo siguruar favore politike. Qëndrimi im është i pandryshueshëm – gjithmonë në interes të qytetarëve.
Fatkeqësisht, logjika e bllokadës dhe shantazhit është bërë mjet i politikbërjes, duke përfshirë edhe ndërmarrjen “Pastrimi”, e cila ka ndërprerë një shërbim jetik për qytetin. Por më lejoni t’ju them me bindje: epoka e sabotimeve dhe e keqpërdorimit të parasë publike merr fund tani, përfundimisht.
Nga e hëna, e rikthejmë një shërbim të denjë dhe të qëndrueshëm për qytetarët tanë – ashtu siç e meritojnë.
Faleminderit qytetarëve për mirëkuptimin, dhe një falënderim i veçantë për të gjithë ju që keni telefonuar, ofruar ndihmë dhe jeni mobilizuar për të mbajtur pastërtinë e qytetit tonë, sepse e keni kuptuar tashmë skemën e sabotimeve që po bëhen në kurriz të qytetarëve!