Rama e kupton se s’mund ta zgjidhë i vetëm problemin e qenve endacak, kërkon ndihmë nga Qeveria

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar pas pamjeve të sulmeve nga qentë endacak në Prishtinë.

Lajme

11/04/2022 16:36

Ai tha se me shqetësim ka parë këto pamje, duke theksuar se janë të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks qe kanë para vetes dhe në kuadër të kësaj kanë marrë disa veprime.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese.”, tha Rama, transmeton lajmi.net.

I pari i Prishtinës tha se poashtu po punojnë në lidhje me procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë, por sipas tij kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë problem.

“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë problem. Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera.”, shtoi ai./Lajmi.net/

Pamje të frikshme/ Dy raste të sulmeve nga qentë endacak brenda ditës në Prishtinë