Rama: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për t’u dhënë në shfrytëzim për 99 vjet banesat komunale të ndara për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se Prishtina u detyrohet familjeve të Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të tjerë, jo vetëm me nderim moral, por…

Lajme

23/07/2025 20:39

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për t’u dhënë në shfrytëzim për 99 vjet banesat komunale të ndara për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se Prishtina u detyrohet familjeve të Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të tjerë, jo vetëm me nderim moral, por edhe me trajtim dinjitoz dhe të qëndrueshëm.

“Sot, si Kryetar i Prishtinës, kam nënshkruar vendimin që banesat komunale të ndara për familjet e dëshmorëve të Republikës, të jepen për shfrytëzim për 99 vjet. Kjo është një vazhdimësi e një vendimi të nisur vite më parë e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kur këto banesa janë ndarë për periudha të shkurtra kohore. Ne kemi vlerësuar se është koha që këto familje të kenë jo vetëm strehë, por siguri të plotë e afatgjatë”, shkroi Rama.

Ai shtoi se ky nuk është akt favori, por një hap institucional drejt drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

“Mirënjohje e thellë për familjet që kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë që sot e jetojmë të gjithë”, përfundoi ai.