Rakiq nuk e di që ka struktura kriminale në veri

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar të premten në Mitrovicë se nuk ka njohuri nëse në komunën që e drejton ekzistojnë struktura kriminale, ashtu siç shkruajnë mediet.

Lajme

27/01/2018 08:19

Ai ka mohuar të ketë banda kriminale në veri të Mitrovicës, të cilat, siç kanë konstatuar shumë politikanë serbë të veriut të Kosovës, janë pushteti i vetëm në veri. Gjithashtu Rakiq ka kërkuar që vrasja e Ivanoviqit të zbardhet sa më shpejt.

“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës që të dalë me një komunikatë rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe hetimeve që janë duke u zhvilluar për t’i gjetur autorët. Nuk dëshiroj të ketë spekulime vetëm për poenë politikë në rastin e Ivanoviqit, siç është duke u bërë. Por, Policia e Kosovës nuk ka mundur të precizojë se deri ku kanë arritur me hetimet dhe kur organet kompetente do të dalin me njoftim rreth hetimeve që janë duke u bërë”, ka thënë Rakiq, i cili nuk ka dashur të japë komente rreth gjendjes së sigurisë në qytetin e Mitrovicës pas vrasjes së liderit të SDP-së dhe këshilltarit të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviq, shkruan Gazeta Zëri.

“Policia e Kosovës ka prezantuar të enjten statistikat, të cilat tregojnë ‘se gjendja e sigurisë është më e mirë se viteve të mëhershme’. Unë nuk jam në dijeni se në veri ka struktura kriminale, për të cilat kanë shkruar mediet në Beograd ditëve të fundit dhe në muajt e fundit. Derisa është vrarë, për diçka të tillë ka treguar dhe vetë Ivanoviq”, ka thënë Rakiq.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, tha të premten se Grupi Punues i formuar nga Qeveria e Kosovës, e me miratimin e Këshillit të Prokurorëve të Kosovës, është duke punuar intensivisht për mbledhjen e dëshmive në rastin “Ivanoviq”.

“Nuk ka informata të reja, të cilat kur të vijë koha publikut do t’ia prezantojë Grupi Punues për hetimet për vrasjen e Ivanoviqit dhe prokurori publik Shyqyri Syla”, ka sqaruar kapiten Hoti.