Rakiq “ka paguar shtrenjtë, çmimin e lirisë”, fton Bahtirin për bisedime

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili të shtunën në orët e mbrëmjes ka vizituar të ashtuquajturin “Park i paqes” në veri të urës kryesore të Ibrit, e ka ftuar kryetarin e Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, që të takohet me të dhe të bisedojnë.

Lajme

22/06/2014 16:34

Ai gjithashtu e ka porositur Bahtirin që të ndalojë me deklarata provokuese, të cilat, siç tha ai, “thellojnë ndarjen, krijojnë urrejtje, në njërën anë, dhe frikë, në anën tjetër, dhe kërcënojnë që qyteti të shtyhet në humnerë”.

“Në vend që planifikon rrënimit e ‘Parkut të paqes’, i cili ndodhet në pjesën veriore të Mitrovicës dhe i cili nuk është përgjegjësi e tij, e ftoj Agim Bahtirin që të ulemi në tavolinë, në Mitrovicë, Beograd, Prishtinë ose Bruksel dhe bashkërisht të merremi vesh për atë se si do të dukën vendet në të cilat duhet ta ndërtojmë mirëbesimin dhe ku duhet bashkë të lozin fëmijët serbë dhe shqiptarë”, ka thënë Rakiq gjatë një takimi me gazetarë tek ura.

Ai ka përkujtuar se “Mitrovica e Kosovës e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë dhe do të dijë ta mbrojë nëse është nevoja”.

“Askush nuk duhet dhe nuk guxon të luajë me paqen, e cila në këto momente na është shumë e nevojshme”, ka thënë Rakiq.

Deklaratat e Rakiqit ka ardhur pas ultimatumit të Bahtirit që barrikada në formë të parkut të largohet deri të shtunën në mesnatë, “në të kundërtën do ta shihni nesër”.