Rainer Rudolph merr detyrën si ambasador i Gjermanisë në Kosovë
Nga sot, ambasada e Gjermanisë në Kosovë do të ketë një ambasador të ri. Rainer Rudolph përmes një videoje ka lajmëruar se është ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, transmeton lajmi.net. “Për ne gjermanët, Kosova është një mik i mirë dhe partner i rëndësishëm. Ne kemi qenë krenar që e kemi mbështetur Kosovën si…

Lajme
Nga sot, ambasada e Gjermanisë në Kosovë do të ketë një ambasador të ri.
Rainer Rudolph përmes një videoje ka lajmëruar se është ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, transmeton lajmi.net.
“Për ne gjermanët, Kosova është një mik i mirë dhe partner i rëndësishëm. Ne kemi qenë krenar që e kemi mbështetur Kosovën si një vend i pavarur dhe sovran”, tha ndër të tjera Rudolph në videon prezantuese.
Ai do të zëvendësoj Jorn Rohde, të cilit i përfundoi mandati muajin që shkoj.
Kush është Rainer Rudolph?
Rainer Rudolph vjen me një përvojë të gjatë diplomatike si zëvendëskryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC) – një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë globale.
Në karrierën e tij, ai ka shërbyer si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e Gjermanisë në Vjenë deri në vitin 2023. Po ashtu ka mbajtur pozita të rëndësishme në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, si dhe në ambasadat gjermane në Varshavë dhe Uashington, DC.
Në Berlin, Rudolph ka punuar dy herë në Zyrën Federale të Kancelarisë, përfshirë si shef i divizionit për marrëdhëniet e jashtme të BE-së, zgjerimin e BE-së dhe marrëdhëniet me shtetet anëtare të Unionit.
Rainer Rudolph ka diplomuar në Universitetin e Tübingenit në fushën e Historisë dhe Letërsisë Gjermane. Ai është gjithashtu anëtar bashkëpunëtor (Associate Fellow) në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP)./lajmi.net/