Rafuna për vendimin e ZRRE-së: Nuk pati konsultim me bizneset

Vendim pa konsultim me bizneset dhe i pa përgatitur mirë. Kështu e ka cilësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vendimin e Zyrës së Rregullatorit për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik. I ftuar në magazinën informative “Info Plus” në RTK, Rafuna ka treguar pse janë kundër këtij vendimi, të cilën…

Lajme

30/07/2025 18:17

Vendim pa konsultim me bizneset dhe i pa përgatitur mirë. Kështu e ka cilësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vendimin e Zyrës së Rregullatorit për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik.

I ftuar në magazinën informative “Info Plus” në RTK, Rafuna ka treguar pse janë kundër këtij vendimi, të cilën e ka kundërshtuar sot në mënyrë të hapur me një kërkesë publike për anulim ndaj presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e Ymer Fejhzullahut, që është kryesues i Bordit të ZRRE-së.

“Nuk ka ndodh në asnjë vend që biznesi detyrohet të dal në tregun e hapur me një datë të caktuar brenda 60 ditëve. Por gjithnjë vendimet janë marrë në konsultim me bizneset, duke përgatitur momentumin”, ka thënë Rafuna.

Ai ka thënë se vendimi është marrë pa përgatitje dhe se ende nuk dihen as pasojat që mund t’i ketë në vete.

“Ne kemi pasur pritjet që për muajin qershor e korrik nga furnizuesi i fundit, KEK, të marrim dhe t’i shohim sa është vlera e tyre, por atë s’e dimë. Javën e kaluar ka filluar nëpërmjet komunikatave, ZRRE ka filluar të kërcënojë bizneset, që nëse nuk keni kontrata të lidhura deri më 30 korrik, atëherë nga 1 gusht do t’u ndërpritet energjia elektrike. Kjo është absurde”, ka thënë ai.

“Asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë sepse në vetvete ajo ka për qëllim të mirë sepse do të ofron mundësinë që nëpërmjet një konkurrence të plotë dhe të madhe, ta gjesh ofertën më të favorshme për blerjen e energjisë elektrike. Por, te ne s’ka ndodhur përgatitja  e tregut, e furnizuesve të licensuar. Neve na është ofruar një listë prej 19 furnizuesve, ku 16 nuk kanë qenë të licensuar në Kosovë. Ndërkohë dy – tre ditë para datës së tregut të hapur, ka filluar licensimi i disa bizneseve të reja”, ka shtuar kreu i OEK-ut.