Rafuna: Nuk është momentumi i negocimit të CEFTA-s, Qeveria të gjejë zgjidhjen më të mirë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme në rrethanat aktuale lidhur me marrëveshjen e CEFTA-s. Duke folur për kërkesën e Gjermanisë që Qeveria të heqë  bllokadën për produktet  serbe, si këmbim që Kosova në këtë organizatë të përfaqësohet…

Lajme

02/10/2024 20:01

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme në rrethanat aktuale lidhur me marrëveshjen e CEFTA-s.

Duke folur për kërkesën e Gjermanisë që Qeveria të heqë  bllokadën për produktet  serbe, si këmbim që Kosova në këtë organizatë të përfaqësohet me fusnotë, ka thënë se momentalisht nuk kushte të favorshme për negocim të kësaj marrëveshje.

“Momentumi, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë nuk është që të hapet edhe një herë negocimi i marrëveshjes së CEFTA-s. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për marrëveshjen e CEFTA-s ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për momentin,  cila është zgjidhja më e mirë e mundshme Qeveria padyshim që e di, por ne nuk guxojmë në asnjë formë të mbesim mbrapa të na pezullohet apo të na ngrihet statusi. Ne duhet gjithsesi të jemi pjesë e tavolinës”, ka thënë Rafuna në Tëvë 1.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës  ka një afat që të kthejë përgjigje kërkesës së Gjermanisë deri para takimit të Samitit të Berlinit që mbahet më 16 tetor.

Rafuna ka shprehur besimin se përgjigjja do të jetë pozitive e të bëhet gjatë kësaj jave.

Ai ka thënë se për situatën e marrëveshjes së CEFTA-s ka kuptuar nga miat dhe nuk ka pasur asnjë informim apo komunikim nga ekzekutivi.

Nga ana e Qeverisë së Kosovës edhe të mërkurën kanë thënë se janë duke punuar në këtë çështje.