Rafuna i OEK-ut në protestën e bizneseve: Jemi të bashkuar dhe s’ka që na ndal, ZRRE brenda 10 ditëve ta pezullojë vendimin

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna sot ka folur derisa i printe protestës së bizneseve të organizuar kundër vendimit të qeverisë për dalje në treg të lirë. Ai ka thënë se në këtë protestë janë mbledhur për të ngritur zërin kundër një ‘padrejtësie’. “Nuk jemi sot këtu për luks, nuk jemi me kërku…

Lajme

11/06/2025 11:32

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna sot ka folur derisa i printe protestës së bizneseve të organizuar kundër vendimit të qeverisë për dalje në treg të lirë.

Ai ka thënë se në këtë protestë janë mbledhur për të ngritur zërin kundër një ‘padrejtësie’.

“Nuk jemi sot këtu për luks, nuk jemi me kërku mëshirë por jemi për të kërkuar një të drejtë të tonën që na takon. Energjia elektrike është dritë, është motor i zhvillimit ekonomik, edhe buka të cilën e konsumojnë qytetarët vjen prej energjisë elektrike. çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Rafuna.

Ai ka thënë se kërkesa e vetme e bizneseve është që t’iu jepet një fazë e tranzicionit dhe të përgatiten për kalim në treg të lirë.

“Ne të gjithë e kemi një kërkesë të vetme, na jepni një fazë të tranzicionit, pregatiteni tregun për kalim në tregun e lirë, më pas edhe një paketë që e kanë pas të gjitha vendet e rajonit, të Evropës por edhe më gjerë që i ka ndihmu biznesit mos me e vërejtur asnjë ndikim negativ. Mos me i ndiku biznesit as në ulje të biznesit dhe mos më ndiku në uljen e standardit të qytetarëve të Kosovës.  Ne nuk jemi fajtor që nuk është përgatitur tregu, nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Dalja në treg të lirë nuk është asnjë biznes kundër saj, duam treg të lirë të kemi konkurrencë, por me vullnetin tonë jo në mënyrë të dhunshme.  Sot të gjithë jemi të bashkuar dhe kur jemi të bashkuar nuk ka që na ndal”, ka shtuar Rafuna.

“Ata që na injorojnë nuk do të fitojnë”, shtoi ai.

Ai tha se kërkesa e bizneseve është që brenda 10 ditëve ZRRE ta pezullojë vendimin.
Bizneset e Kosovës sot kanë mbajtur protestën e dytë të organizuar nga ta kundër vendimit të Qeverisë dhe ZRrE-së për kalim në treg të lirë nga data 1 qershor./Lajmi.net/