Radhën e ka Universiteti paralel në Mitrovicë

Universiteti paralel i Prishtinës në Mitrovicën e Veriut vazhdon të funksionojë pa i dhënë përgjegjësi institucioneve të Kosovës. Ministri Ramë Buja thotë MASHT së shpejti do ta detyrojë atë që t’u nënshtrohet kritereve të licencimit dhe akreditimit.

Lajme

06/01/2014 15:18

Në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë dy universitete me të njëjtin emër. Që të dyja e quajnë vetën si universitete publike dhe mbajnë emrin Universiteti i Prishtinës.

Dallimi bëhet bazuar në faktin se njëri (i vërteti) universitet është i licencuar dhe akredituar nga institucionet e Kosovës dhe gjendet në Prishtinë, kurse tjetri gjendet në Mitrovicën e Veriut dhe në më shumë se një dekadë funksionon si institucion paralel i arsimit.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka kohë që tenton që të krijojë kontakte me përfaqësues të këtij të fundit, por pa sukses.

Ministri Ramë Buja, në një bisedë me lajmi.net, thotë se Marrëveshja e Brukselit e arritur më 19 prill obligon të gjitha institucionet paralele të futen nën mbikëqyrjen e ligjeve dhe Kushtetues në Kosovë, e ku do të duhej të përfshihej edhe ky universitet.

Buja bënë të ditur se MASHT ka kohë që i ka dërguar një kërkesë për të diskutuar për modalitetet e legalizimit të këtij universiteti, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Rektorati i Universitetit në Mitrovicën e Veriut

 

“Ne kemi kërkuar që konform marrëveshjeve që janë bërë, të hyjnë në kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës”.

“Ky institucion arsimor duhet t’u nënshtrohet institucioneve të Kosovës për akreditim dhe licencim, pasi që ata nuk kanë ndonjë akreditim as nga ndonjë institucion i Serbisë dhe as të Kosovës. Kështu që, ata janë të diskriminuar vetvetiu si institucion i ndarë, pasi që diplomat e tyre nuk njihen askund të rajon”.

“Ne i kemi bërë një shkresë dhe kërkojmë që të na kthehet një përgjigje, për të pasur më pas edhe kontakte”.

Ministri Buja thotë se nuk është në dijeni nëse ka pasur bisedime konkrete në Bruksel lidhur me statusin e këtij universiteti.

“Nuk e di nëse për një gjë të tillë është diskutuar apo jo në Bruksel pasi që unë nuk kam qenë atje. Por, në bazë të marrëveshjes së përgjithshme, do të duhej që edhe ky universitet si të gjitha institucionet tjera, të hyjë në mbikëqyrje të institucioneve të Kosovës”.

“Nuk mund të them asgjë nëse ata do të pranojnë të futen nën mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës, pasi që ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. Pres që ata të zhbllokohen pasi që ata janë të bllokuar. Legjitimimi i tyre do të ishte një hap i mirë së pari për ata dhe pastaj edhe për Ministrinë e Arsimit”.

I ashtuquajturi Universiteti në Prishtinë (Univerzitet u Pristini) ka 10 fakultete ku vijojnë studimet kryesisht studentë të komunitetit serb nga pjesa veriore e Kosovës por edhe nga qytete tjera serbe që gjenden afër kufirit me Kosovën.

Ndërsa, sipas Ministrit Buja, legalizimi i këtij universiteti do t’i konvenonte edhe vetë stafit akademik dhe studentëve. Ai nuk e ka bezdi nëse ky universitet vazhdon të mbajë të njëjtin emërtim.

“Ne jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë ata pasi që janë qytetarë të Republikës së Kosovës, dhe ne jemi të gatshëm për t’i realizuar ato të drejta që mendojmë se ata do të duhej t’i gëzonin”.

“Nuk është me rëndësi se si do të quhet ky universitet, por mënyra se si do bëhet akreditimi në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës dhe të licencohet në Ministrinë e Arsimit dhe të vazhdojë punën. Ndërsa çështja se a do të quhet Universitet i Prishtinës apo jo, është krejtësisht e parëndësishme”.

I pari i MASHT’it thotë se nuk ka asnjë shans që ky universitet të udhëhiqet nga nivelet komunale apo edhe nga strukturat udhëheqëse të Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Nuk ka gjasa që në asnjë formë dhe asnjë mënyrë që ky universitet të ketë mundësi të udhëhiqet nga Bashkësia e Komunave Serbe”.

Tani pritet t’i jepet kohë edhe gjatë këtij viti përfaqësuesve të këtij universiteti që t’i përgjigjen kërkesës për negocim, pasi që sipas Bujës, kërkesa nuk do të zgjasë deri në pakufi.

“Arsyeja se përse nuk janë vënë kontaktet, është si shkak i hezitimit të tyre. Ata kanë fituar donacione të ndryshme duke u thirrur herë si Universitet i Mitrovicës e herë si i Prishtinës, ndërsa ne nuk i kemi penguar duke pasur ndjenjën e mirë se një ditë ata do të futen në atë që quhet ligj dhe Kushtetutë e Kosovës”.

“Ne nuk do të lejojmë që kjo çështje të zgjas në pakufi. Ne do të insistojmë edhe gjatë këtij viti që të vëmë kontakte. Dhe unë besoj që kjo do të realizohet shpejtë”, thotë Ministri Ramë Buja për lajmi.net.