“Qytetarët po dëmtohen” – LDK kërkon hetim të thellë për faturat e rrymës dhe KEDS-in

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka ngritur akuza ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe kompanisë KEDS, duke kërkuar transparencë të plotë lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe faturimit të energjisë elektrike në Kosovë. Në një konferencë për media, Azemi e ka cilësuar si “skandaloze” deklaratën e…

Lajme

15/04/2026 14:59

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka ngritur akuza ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe kompanisë KEDS, duke kërkuar transparencë të plotë lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe faturimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Në një konferencë për media, Azemi e ka cilësuar si “skandaloze” deklaratën e fundit të MINT-it për gjobat ndaj KEDS-it, duke theksuar se, sipas tij, këto masa nuk e adresojnë thelbin e problemit.

Pra, po, le ta gjobisin KEDS-in, madje jo me 1500 euro po me 5000, me gjobën më të lartë, por qëllimi kryesor këtu është me i kompensua qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë faturu apadrejtësisht duke i manipulua njehsorët elektrikë të tyre dhe duke i fshehur faktet dhe dëshmitë të cilat edhe sot, në këto momente kur po flasim, janë duke ndodh dy gjëra: E para, në terren KEDS dhe Ministria po bëjnë ndërrimin e njehsorëve; E dyta, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit tim, janë në prokurori duke dhënë dëshmi për faktet e të gjeturave tona të cilat i kemi bërë të njohura”, deklaroi Azemi.

Sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë kompensimi i qytetarëve që, siç tha ai, janë faturuar padrejtësisht për shkak të devijimeve në matjen e energjisë elektrike dhe jo vetëm shqiptimi i gjobave ndaj kompanisë, shkruan lajmi.net.

Ai ka pretenduar se në terren po vazhdon procesi i ndërrimit të njehsorëve elektrikë, ndërsa ka përmendur edhe përfshirjen e disa anëtarëve të LDK-së në procedura hetimore, ku sipas tij janë duke dhënë dëshmi për gjetjet e partisë.

Visar Azemi ka kërkuar që institucionet të mos e manipulojnë opinionin publik dhe të publikojnë të gjitha të dhënat mbi hetimet, përfshirë numrin e saktë të njehsorëve problematikë dhe zonat e prekura.

Ai ka ngritur shqetësimin se në Kosovë janë mbi 700 mijë njehsorë elektrikë të instaluar, por sipas tij nuk dihet ende sa prej tyre janë të dyshuar për probleme në matje.

“Pra ta dimë një gjë – Në Kosovë janë të instaluar mbi 700 mijë njehsorë elektrikë, ndërsa MINT-i nuk po jep asnjë shifër se sa njehsorë qenkan problematikë dhe në cilat rajone. Pra, po flasim për dy njehsorë, a për 2000 njehsorë, apo për 200,000 njehsorë? Pra, duhet me e ditë në çfarë shkalle i kanë zhvilluar hetimet e tyre edhe për çfarë shkalle të gjobave po flasim në këtë hetim…”, ka deklaruar mes tjerash Azemi.

Azemi ka theksuar se gjobat e shqiptuara janë të pamjaftueshme dhe të vonuara, pasi sipas tij nuk zgjidhin çështjen kryesore të faturimit të pasaktë të energjisë elektrike.

Në fund, ai ka bërë thirrje për transparencë të plotë nga institucionet dhe ka kërkuar që qytetarët të informohen qartë për mundësinë e kompensimit të mjeteve të paguara, në rastet kur, sipas pretendimeve të tij, faturimi ka qenë i pasaktë. /Lajmi.net/