Qytetarët, “pak” të ndikuar nga radikalizmi, shumë të pakënaqur me institucionet
Në një anketë të bërë nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, rreth 40 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se "myslimanët në Kosovë janë ndikuar më shumë, ose deri në një masë nga format ekstreme radikale të islamit, gjatë dy viteve të fundit".
Lajme
Të dhënat e kësaj ankete tregojnë se 52 për qind e të anketuarve që konsiderojnë se qytetarët e Kosovës me gjasë po ndikohen nga grupet radikale fetare i përkasin grupmoshës 18 – 24 vjeç.
Qytetarët po ashtu janë pyetur edhe për opinionin e tyre lidhur me mundësinë që Kosova të bëhet cak i sulmeve terroriste.
Gjetjet tregojnë se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës “konsiderojnë se ka pak apo shumë pak gjasa që Kosova të behët objekt i sulmeve terroriste, megjithatë një pjesë e konsiderueshme e tyre prej 32.5 për qind e konsiderojnë si të mundshme që Kosova të bëhet cak i sulmeve terroriste”.
Këto rezultate janë bazuar në mostër të anketës me 1,306 qytetarë të Kosovës mbi moshën 18 vjeçare dhe ka përfshirë të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluara zonat rurale dhe urbane, raporton RFE.
Po ashtu në këtë raport ka dal se pakënaqësi e qytetarëve me punën e institucioneve kryesore ka rënë në krahasim me raportin e publikuar në prill të këtij viti.
Vetëm 25 % e qytetarëve kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.
Niveli i kënaqëshmërisë në punën e institucioneve qendrore është ulur për 25 pikë të përqindjes.