Qytetarët e Pejës po e mbështesin nismën legjislative të IKD-së për ndryshimin Kodit Penal

 Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon sot (e mërkurë) aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Pejë, në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Nismën e mbështeti edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxhiri, duke nënshkruar bashkë me stafin e tij. IKD njofton se…

Lajme

05/08/2026 12:48

 Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon sot (e mërkurë) aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Pejë, në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Nismën e mbështeti edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxhiri, duke nënshkruar bashkë me stafin e tij.

IKD njofton se gjatë këtij aktiviteti, i cili po zhvillohet në Sheshin “Skënderbeu” (te Corsa), qytetarë të shumtë janë ndalur në stendën e tyre për t’u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimin e tyre.

“Në orën e parë të aktivitetit për mbledhjen e nënshkrimeve, stendën e IKD-së e vizitoi Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, së bashku me stafin e tij, të cilët e mbështetën nismën duke e nënshkruar atë. Gjithashtu, stendën e IKD-së e vizituan përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë, të cilët u informuan për përmbajtjen e nismës dhe e mbështetën atë me nënshkrimet e tyre”, thuhet në njoftim.

Nisma legjislative qytetare synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal përmes dy propozimeve kryesore: përcaktimin si vepër penale të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

“Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë deri në ora 15:00, ndërsa IKD fton qytetarët e Pejës që ende nuk e kanë mbështetur nismën, të vizitojnë stendën informuese, të njihen me përmbajtjen e saj dhe ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre. Çdo nënshkrim është një kontribut për forcimin e sundimit të ligjit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e parasë publike nga keqpërdorimi për përfitim elektoral”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 23 dhe 27 korrik, si dhe 4 gusht, IKD zhvilloi aktivitetin në qendër të Prishtinës. Më 28 dhe 29 korrik, IKD qëndroi në Gjakovë, ku krahas qytetarëve të shumtë, nismën e mbështeti edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke e nënshkruar atë.

Kurse, më 30 dhe 31 korrik, aktiviteti u zhvillua në qytetin e Prizrenit, në të cilin vend nisëm e mbështeti edhe kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.

Për procedimin e nismës në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. IKD ka paralajmëruar se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës./BetimipërDrejtësi