Qytetarët e Obiliqit dhe Fushë Kosovës pranë termocentraleve, pa ngrohtore

Ndonëse jetojnë pranë termocentraleve të Kosovës, banorët e Obiliqit dhe ata të Fushë-Kosovës nuk përfitojnë ende nga energjia termike, teksa presin që institucionet t’i funksionalizojnë ngrohtoret qendrore. Kostoja e lartë e projekteve ka shkaktuar vonesa, për çka të dy komunat presin mbështetjen e Qeverisë dhe të donatorëve. Imer Shala – banor i Obiliqit për REL…

Lajme

07/01/2026 19:32

Ndonëse jetojnë pranë termocentraleve të Kosovës, banorët e Obiliqit dhe ata të Fushë-Kosovës nuk përfitojnë ende nga energjia termike, teksa presin që institucionet t’i funksionalizojnë ngrohtoret qendrore.

Kostoja e lartë e projekteve ka shkaktuar vonesa, për çka të dy komunat presin mbështetjen e Qeverisë dhe të donatorëve.

Imer Shala – banor i Obiliqit për REL tha se ngrohet me dru, por nganjëherë i duhet të djeg edhe qymyr pasi nuk mjafton, transmeton lajmi.net.

“Diku 10-15 metra veç dru dhe mund të ndodhë që nuk mjaftojnë nëse nuk djegim edhe qymyr. Për qymyrin thuhet herë ta djegim, herë mos ta djegim, ndotja e ambientit e këso gjërash, por ne disi duhet të ngrohemi.”, tha fillimisht.

Ai shtoi se me ngrohja me dru kryen punë veç në sallonin e shtëpisë dhe se pjesët tjera të shtëpisë rrinë të ftohta.

Zgjidhjen për ngrohje, banorët e Obiliqit duhet ta bëjnë vetë, përkundër që afër kanë termocentralet.

Ngrohja përmes qytetarëve të Obiliqit shkon në Prishtinë, por nuk ndalet tek ta. Kjo për shkak se ende mungon ngrohtorja qendrore e qytetit.

Projekti për ngrohtoren ka 5 vjet që ka nisur. Disa punë që janë kryer në lidhje me këtë projekt janë si shtrirja e gypave në disa pjesë të komunës, por që ende nuk është funksionalizuar.

Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi për REL ka thënë se vonesat për këtë projekt kanë ndodhur për shkak të kostos së lartë të investimit .

“Kanë qenë rreth 59 milionë euro projekti i tërësishëm i kogjenerimit. Kjo shifër tregon qartë se komuna e Obiliqit nuk e ka të lehtë apo nuk mund ta përballojë me të hyrat e saj këtë investim.”, u shpreh ai.

Thaçi dha edhe një datë kur pritet të realizohet ky projekt.

“Unë kam dhënë një premtim publik që me 15 tetor të vitit 2026 do të bëjmë përpjekje dhe do ta bëjmë të pamundurën që ngrohtorja të lëshohet në funksion për qytetin e Obiliqit”, tha kryetari i Obiliqit.

Jo shumë larg termocentraleve të KEK-ut është edhe qyteti i Fushë Kosovës, e cila po ashtu pëson shumë nga tymi.

Ngrohtorja e Fushë Kosovës, sipas kryetarit të kësaj komunes Valon Prebreza, është ende në hapat fillestarë.

“Tash në vitin 2026 do të planifikojmë të bëjmë studimin e fizibilitetit që ta kemi të qartë koston reale edhe përfitimin real të të gjithë qytetarëve dhe të të gjithë komunitetit”

“Prej fillimit të projektit e deri në përfundim i duhen përafërsisht 6 vjet, sepse është projekt që kushton, sipas përllogaritjeve preliminare që i kemi pasur nga disa ekspert të fushës, diku 55 deri në 60 milionë euro është vlera e projektit në tërësi.”, tha Prebreza.

KEK për REL tha se është i gatshëm t’iu ofrojë kapacitetet e energjisë termike që të dy komunave për ngrohje./Radio Evropa e Lirë/