Qumështarët në protestë, sot bllokojnë rrugët me traktorë e kafshë

Rrugët që lidhin pikat doganore në gjithë Kosovën pritet të bllokohen sot nga traktorët, mjetet bujqësore dhe kafshët.

Lajme

15/06/2015 07:44

Kjo është protestë e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit vendor bëhet në shenjë pakënaqësie ndaj mosrealizimit të kërkesave të tyre.

Kryetari i shoqatës së prodhuesve të qumështit, Naser Bajraktari ka thënë për KosovaPress se në të gjitha problemet e këtij sektori i pari që e pëson është fermeri.

Ai u shpreh i pakënaqur për situatën e këtij sektori, duke thënë se falimentimi i fermave dhe reduktimi i punëtorëve është një fenomen që po ndodh çdo ditë brenda këtij sektori.

Njëjtë si Bajraktari mendon edhe kryetari i përpunuesve të qumështit, Ramadan Memaj, i cili ka thënë se importi në të shumtën e rasteve bëhet edhe në mënyrë ilegale dhe hynë në treg me çmim shumë të lirë, gjë e cila po e vështirëson punën e fermerëve dhe nuk po lenë hapësirë në treg për prodhuesit vendor.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, ekspert i fushës së ekonomisë tha se nuk duhet lejuar krijimin e monopoleve në treg, por duhet të përmbushen kërkesat që vijnë prej qumështarëve.