QKUK pa sigurim, Azemi: Kjo ka ndodhur për shkak të disa procedurave të brendshme burokratike, për 3-4 secili do të kthehet në punë

Rreth 260 punëtorë të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë mbetur pa kontrata pune, gjë që ka bërë që ambientet e QKUK-së të mbesin pa sigurim fizik nga sot. Si reagim ndaj kësaj situate, punëtorët kanë depërtuar në ambientet e administratës së QKUK-së në Prishtinë. Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf…

Lajme

24/06/2025 11:40

Rreth 260 punëtorë të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë mbetur pa kontrata pune, gjë që ka bërë që ambientet e QKUK-së të mbesin pa sigurim fizik nga sot.

Si reagim ndaj kësaj situate, punëtorët kanë depërtuar në ambientet e administratës së QKUK-së në Prishtinë.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, theksoi se i është thënë se kjo situatë është krijuar për shkak të vonesave burokratike dhe se po punohet për një zgjidhje të përkohshme.

“Ne si sindikatë kemi ardhur dhe kemi folur me drejtorin. Sipas diskutimeve me të, kjo periudhë pritet të zgjasë 3 deri në 4 ditë. Ne nuk kemi dashur të kryejmë shërbime pa kontrata dhe pa pagesa, prandaj kemi ndërprerë punën”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka shtuar se drejtori i QKUK-së Osman Hajdari ka dalë para punëtorëve dhe ka premtuar se do të bëhet përpjekje që ata të përfshihen në sistemin e pagesave edhe për këto ditë pa kontratë, megjithatë kjo nuk është e garantuar.

“Kjo ka ndodhur për shkak të disa procedurave të brendshme burokratike, por drejtori është zotuar se brenda 3-4 ditëve secili do të kthehet në vendin e punës”, tha Azemi.