QKUK-ja nuk i plotëson kushtet për intervenime në zemër

Paralizimi gati njëvjeçar i punës në Klinikën Kardiokirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka vënë në diskutim të drejtën e intervenimeve në klinikën tjetër, atë të Kardiologjisë. 

Lajme

16/01/2015 09:00

Rreziku nëpër të cilin kalojnë pacientët tek të cilët intervenohet në Kardiologji për mungesë të kardiokirurgëve në këtë institucion, e ka pranuar edhe shefi i Kardiologjisë Invazive në QKUK, Sami Gjoka, shkruan të premten e përditshmja Koha Ditore.

Ai ka thënë se është rrezik që t’i hyhet një operacioni në zemër pa kardiokirurg, por sipas tij, deri më tani fatmirësisht nuk kanë pasur komplikime gjatë intervenimeve të këtij shërbimi.

Edhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari, ka thënë se klinika të cilën e udhëheq ka nevojë të menjëhershme për shërbime të kardiokirurgjisë, meqë sipas tij, një numër i pacientëve që bëjnë koronografi rezultojnë me nevojën për “by-pass”.