Qindra serbë mblidhen në Graqanicë
Qindra serbë po marrin pjesë në manifestimin fetar që po mbahet në Manastirin e Graqanicës. Manifestimi ka nis. Serbët më pas do të vazhdojnë në manifestimin në Gazemistan, afër Obiliqit, për të kryer rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës, i cili është mit i fitores për serbët, edhe përkundër faktit se ishte humbje…

Lajme
Qindra serbë po marrin pjesë në manifestimin fetar që po mbahet në Manastirin e Graqanicës.
Manifestimi ka nis. Serbët më pas do të vazhdojnë në manifestimin në Gazemistan, afër Obiliqit, për të kryer rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës, i cili është mit i fitores për serbët, edhe përkundër faktit se ishte humbje e betejës ndaj perandorisë osmane.
Rruga që të çon drejt Manastirit të Graçanicës, që nga orët e hershme të mëngjesit, është nën mbikëqyrjen e shtuar të Policisë së Kosovës.
Të pranishme në pika të ndryshme, njësitet policore janë vendosur përgjatë segmenteve kyçe rrugore, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë shënimit të festës së Vidovdanit.
Masa të shtuara sigurie janë paralajmëruar edhe në njoftimin e një dite më parë nga Policia, ku u njoftua se është hartuar një plan operativ për menaxhimin e situatës në teren, përfshirë kontrollin e qarkullimit dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm.
Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm.
Po ashtu, në këto rrugë shihen edhe ushtarë të KFOR-it.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti të premten në mbledhjen e Qeverisë bëri thirrje që të respeketohet ligji dhe të mos bihet pre e provokimeve të nxitura nga autoritetet në Serbi, gjatë shënimit të Vidovdanit.
Kurti potencoi se ka informacione që do të ketë pjesëmarrje masive nga serbët që do të vinë nga rajoni, e që sipas tij, mund të ketë edhe nxitje të incidenteve.
Beteja e vitit 1389, e njohur ndryshe edhe si “Beteja e popujve”, u zhvillua mes forcave të Perandorisë Osmane dhe aleancës së popujve të Ballkanit. Ky përballje historike ndodhi në territorin e sotëm të Kosovës, në hapësirën mes lumenjve Llap dhe Sitnica.