Qindra mijëra turq protestojnë në Stamboll kundër burgosjes së rivalit kryesor të Erdoganit

Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i Presidentit Tayyip Erdogan, demonstratë kjo më e madhja që Turqia ka parë në më shumë se një dekadë. Një letër nga Imamoglu u lexua në tubim e cila nxiti brohoritje nga turma. “Unë nuk kam frikë, ju jeni…

Bota

29/03/2025 16:13

Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, rivali kryesor i Presidentit Tayyip Erdogan, demonstratë kjo më e madhja që Turqia ka parë në më shumë se një dekadë.

Një letër nga Imamoglu u lexua në tubim e cila nxiti brohoritje nga turma. “Unë nuk kam frikë, ju jeni pas meje dhe pranë meje. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letër, raporton “Reuters”.

“Mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka treguar se do t’i shkatërrojë të gjitha kurthet dhe komplotet”.

Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu kanë bashkuar thirrjeve të opozitës për të protestuar që kur Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit për akuzat e korrupsionit.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por rreth 2000 njerëz janë arrestuar.

Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP), parti të tjera opozitare, grupe të të drejtave dhe disa fuqi perëndimore kanë thënë se çështja kundër Imamoglu është një përpjekje e politizuar për të eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Qindra mijëra demonstrues duke valëvitur flamuj dhe parulla turq u dyndën në tubimin buzë detit në Maltepe në anën aziatike të Stambollit për mitingun e së shtunës “Liri për Imamoglun”, organizuar nga CHP. Policia vendosi siguri të fortë rreth një vendi ku po mblidheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, njerëzit do të flasin”, tha një pankartë e mbajtur lart në turmë.

“Unë nuk kam frikë dhe do të vazhdoj të rezistoj. U bëj thirrje të gjithëve të mos kenë frikë …. Më pushuan (nga puna), por një ditë, drejtësia do të vendoset”, tha Gunay Yildiz, një ish-punonjës i komunës së qarkut Esenyurt të Stambollit.

Bunyamin Turan, një mësues në pension, tha: “Kur shikojmë historinë e njerëzimit, në të gjitha vendet, të gjitha administratat, të gjitha regjimet ku ka pasur një shtypje të tillë, herët a vonë, njerëzit dhe ata që i rezistuan shtypjes kanë fituar. Pronarët e vërtetë të atyre vendeve fituan”.

Kreu i CHP-së Ozgur Ozel, duke folur në tubim, tha se miliona turq po kërkonin lirimin e Imamoglut dhe zgjedhjet. Ai tha se akuzat kundër kryebashkiakut ishin të pabaza dhe të motivuara politikisht dhe CHP bëri thirrje për bojkot të mediave, markave dhe dyqaneve që ai thotë se janë pro Erdoganit.

Që nga ndalimi i Imamoglu, asetet financiare turke janë ulur, duke bërë që banka qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Trazirat kanë shkaktuar tronditje në sektorin privat.