Qindra çifte në listë të pritjes për IVF në QKUK

Mes kushteve të vështira spitalore, mungesës së barnave dhe ikjes së mjekëve, një çështje që prej kohësh dominon diskutimet rreth sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës, është edhe funksionalizimi i vonuar i repartit për IVF, apo fertilizim të asistuar mjekësor. Nëntorin e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se reparti brenda Qendrës Klinike…

Lajme

22/02/2025 16:34

Mes kushteve të vështira spitalore, mungesës së barnave dhe ikjes së mjekëve, një çështje që prej kohësh dominon diskutimet rreth sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës, është edhe funksionalizimi i vonuar i repartit për IVF, apo fertilizim të asistuar mjekësor. Nëntorin e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se reparti brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të funksionalizohet në mes të dhjetorit.

Por, atëkohë, pacientët e interesuar për IVF kanë nisur të caktojnë vetëm terminë për konsulta dhe kontrolle, në lidhje me procedurën – aplikim të saj në çifte nuk ka pasur.

Tashmë në pjesën e dytë të muajit shkurt, 2025, autoritetet shëndetësore thonë se zbatimi në praktikë i IVF-së do të nisë “së shpejti”, por nuk specifikojnë ndonjë datë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se, “gjatë muajit mars, pritet të fillojë stimulimi i vezoreve te rastet e para, dhe në fazën tjetër do të nisin procedurat e para të IVF-së”.

Zotim të ngjashëm për REL-in bënë edhe zyrtarë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës – SHSKUK, i cili mbikëqyr QKUK-në.

Çka është IVF-ja?

Fertilizimi i asistuar, i njohur si IVF, është një procedurë mjekësore përmes së cilës një grua mund të mbetet shtatzënë, nëse një gjë të tillë nuk mund ta arrijë në mënyrë natyrale.

Për IVF duhen qelizat riprodhuese – qelizat vezë dhe spermatozoidet – dhe embrionet, të cilat ruhen në banka të qelizave riprodhuese.

Të martën e 18 shkurtit, REL-i u informua nga burimet e veta në QKUK se barnat dhe materialet shpenzuese për IVF, nuk janë siguruar ende në repartin e QKUK-së.

Merret vesh se tenderi për zgjedhjen e ofertuesit është hapur, por nuk dihet se deri ku ka arritur procedura.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku ndodhet reparti i IVF-së, thonë se në dy muajt e fundit janë bërë konsultime të shumta me çiftet që duan të bëhen prindër përmes IVF-së.

REL-i pa se lista e pritjes për konsultime të tilla ka shkuar në rreth 1.000 raste dhe se disa prej tyre duhet të presin përtej muajit të katërt të vitit.

“Jam duke pritur me padurim, sepse nuk i kemi kushtet të provojmë në institucione private”, i tha Radios Evropa e Lirë Valoni, i cili bashkë me bashkëshorten kanë termin për konsultime në prill.

“Kjo do të jetë një mundësi ideale”, tha çifti, i cili ka tetë vjet martesë dhe nuk ka fëmijë.

Punonjësit në Gjinekologji thonë se për shkak të interesimit të lartë, kjo klinikë ka shtuar ditët e pranimit të kërkesave për kontrolle dhe konsultime – nga tri sa ishte më herët në pesë.

Shefi i repartit të IVF-së, Leandrit Bejtullahu, shpreh bindjen se punët janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Jemi në fazën përgatitore, kur pacientët vijnë me analiza dhe vlerësohet nëse i plotësojnë kriteret ose jo… Pas përgatitjes së tyre, vjen faza e stimulimit”, thotë Bejtullahu.

Cilat janë kriteret për IVF?

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka kushte specifike të përcaktuara për përfitimin e trajtimit me IVF, por praktikat e përgjithshme mjekësore sugjerojnë që kandidatët duhet t’i plotësojnë disa kritere të përgjithshme.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bejtullahu shpjegon se çifti duhet të ketë diagnozë të infertilitetit, ndërsa gruaja duhet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, të ketë mitër funksionale – të aftë për të mbajtur shtatzëninë, si dhe të jetë deri në 42 vjeçe.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka hartuar tashmë një udhërrëfyes për kriteret, që pritet të botohet si dokument zyrtar.

Bejtullahu thotë se mosha deri në 42 vjeçe për gratë që duan t’i nënshtrohen IVF-së, është caktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Por, kjo nuk është pritur mirë nga një 45-vjeçare, që i është drejtuar QKUK-së për këtë procedurë.

“Më thanë se rastet i pranojnë vetëm deri në moshën 42-vjeçare. Unë nuk e di se çka është kjo, përse të përcaktohet mosha? Nuk është në rregull kjo punë”, tha ajo për REL-in, teksa dilte nga ndërtesa e QKUK-së, javën e kaluar.

“Unë kam provuar IVF edhe në spitalet private. Mjekët nuk më kanë thënë kurrë se nuk bën”, u shpreh ajo.

Si është aplikuar IVF në Kosovë?

Kosova ka ligj për shëndetin riprodhues, ku bën pjesë edhe IVF-ja, qysh në vitin 2007.

Por, në mungesë të repartit të IVF-së në QKUK, procedura ka mundur të bëhet vetëm në spitale private, ku kushton deri në 3.000 euro.

Procedura, nëse nuk është e suksesshme herën e parë, mund të përsëritet së paku edhe dy herë të tjera, sipas rekomandimeve.

Në QKUK, ky shërbim do të ofrohet falas dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.

Ndërtimi i repartit për IVF në QKUK ka nisur në vitin 2020 dhe drejtuesit e atëhershëm të QKUK-së janë zotuar se procedura do të nisë të aplikohet në vitin 2021.

Vonesat që janë shfaqur ndërkohë, janë lidhur me pandeminë COVID-19, e cila e ka zhvendosur fokusin tek emergjenca e shëndetit publik.

Përndryshe, investimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të SHSKUK-së në ngritjen e repartit të IVF-së kanë arritur vlerën e 1.9 milion eurove.

Pa marrë parasysh se kur do të nisë së aplikuari, diskutimet për këtë procedurë pritet të vazhdojnë edhe për një kohë, pasi një projektligj për shëndetin prodhues ka mbetur pezull.

Ai ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës qysh në vitin 2023, por nuk ka shkuar më tej, për shkak se disa deputetë i kanë kundërshtuar dispozitat, sipas të cilave qasje në IVF mund të kenë të gjitha gratë, pa marrë parasysh statusin e tyre – qofshin beqare, qofshin në një çift homoseksual apo heteroseksual.

Arsyetimet e këtyre deputetëve kanë qenë se “duan të mbrojnë institucionin e familjes” – gjë që është kundërshtuar nga përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut.