Qindra banesa të shkatërruara totalisht e mbi 5 mijë të vdekur në Libi, shkak vërshimet

Mbi 5 mijë e 100 trupa të pajetë, viktima të përmbytjeve, janë rikuperuar në qytetin e Dernës, në Libi. Skuadrat e vullnetarëve, si ajo e Gjysmëhënës së Kuqe, kanë punuar në garë me kohën që prej natës të së dielës, kur uji që vërshoi nga shembja e dy digave mbuloi qytetin lindor, duke rrafshuar disa qindra…

Bota

13/09/2023 19:49

Mbi 5 mijë e 100 trupa të pajetë, viktima të përmbytjeve, janë rikuperuar në qytetin e Dernës, në Libi.

Skuadrat e vullnetarëve, si ajo e Gjysmëhënës së Kuqe, kanë punuar në garë me kohën që prej natës të së dielës, kur uji që vërshoi nga shembja e dy digave mbuloi qytetin lindor, duke rrafshuar disa qindra godina. Sipas shifrave zyrtare, të humburit janë rreth 9 mijë, por të dhënat janë provizore.

Pamjet satelitore tregojnë gjendjen përpara dhe pas përmbytjeve. Ato ndihmojnë të kuptohet fuqia e katastrofës, në qytetin ku jetojnë pak më shumë se 120 mijë banorë. Edhe ngjyra e detit ka ndryshuar.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, tragjedia ka lënë të paktën 30 mijë të zhvendosur, njerëz që janë braktisur në fatin e tyre nga një shtet i falimentuar, i gërryer nga një dekadë luftë civile dhe i ndarë në dy fraksione politike luftarake.

Rrjedhimisht janë vetë njerëzit përgjegjës për varrimin e viktimave, shumica e të cilave do të prehen në varre masive. Deri tani rezulton se më shumë se gjysma e trupave të rikuperuar në Derna nuk janë varrosur ende.