“Qeverisja Kurti” -Përplasje e ashpër në Kuvend
Deputetët opozitarë dhe ata të pushtetit janë përplasur ashpër në seancën e sotme të Kuvendit, ku po zhvillohet debati parlamentar për katër vjet qeverisje të kryeministrit Albin Kurti. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se “korrupsionin në qeverinë Kurti nuk e mbulojnë as sulmet terroriste në veri”. “Korrupsionin potencial me 2.123 kontrata që e keni…
Lajme
Deputetët opozitarë dhe ata të pushtetit janë përplasur ashpër në seancën e sotme të Kuvendit, ku po zhvillohet debati parlamentar për katër vjet qeverisje të kryeministrit Albin Kurti.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se “korrupsionin në qeverinë Kurti nuk e mbulojnë as sulmet terroriste në veri”.
“Korrupsionin potencial me 2.123 kontrata që e keni bërë pa shpallje të tenderit dhe që e keni bërë me negocim të drejtpërdrejtë nuk e mbulojnë as sulmet terroriste në veri. Nuk e mbulon me asnjë shpifje që po mundohesh me bë ti dhe të gjithë eksponentët e LVV-së”, tha ajo.
Asaj i reagoi deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi i cili akuzoi deputeten Bajrami se në kohën sa ishte ministre e Industrisë ka humbur gruri në rezervat shtetërore.
“Si ministre në MTI a e ka gjetur grurin në rezerva apo jo. Mos të na shet moral këtu për shpifje dhe të pavërteta. Shpifje dhe të pavërteta është duke prodhuar ajo së bashku me disa argatë të tjerë. S’ka korrupsion dhe s’do të ketë asnjëherë në Lëvizjen Vetëvendosje”, theksoi ai.
Në debat u përfshi edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri i cili e quajti Rrustemin “përfaqësues të denjë të hajnave”.
“Zakonisht hajni të thotë hajn. Këqyre hajnin. Është pikërisht personi në fjalë, me njerëzit të cilët i kemi nxënë duke i prekyr rezervat shtetërore dhe del tash thotë hajn. Është pikërisht personi që flet ne emër të tyre që i kemi zënë duke folur për subvencione dhe del tash thotë hajn…Je përfaqësues i denjë i këtyre hajnave të cilët vjedhin në subvencione”, theksoi ai.