Qeverisja e Shpend Ahmetit nën harkun njëvjeçar – më keq se asnjëherë

Shoqëria civile dhe opozita në kuvendin e Prishtinës mendojnë se kryetari Shpend Ahmeti ka dështuar që ta realizojë planin investivë për vitin 2019.

Lajme

01/01/2020 12:25

2019-ta ka qenë viti më i keq investivë në Komunën e Prishtinës që prej se drejtimin e pushtetit në kryeqytet e ka marr Shpend Ahmeti. Kështu flasin dokumentet e hartuara nga Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës në vitin 2019 ka pasur një buxhet të miratuar në vlerë prej 87 milionë e 733 mijë e 825 euro. Sipas të dhënave të Komunës që i ka parë lajmi.net për 11 muaj, ose nga 1 janari deri më 30 nëntor buxheti është shpenzuar në vlerë prej 65,818,686.18. Veçmas për investime kapitale kanë qenë 48,358,014.75, për 11 muaj janë shpenzuar vetëm 13,841,717.68 euro, pra me 1 dhjetor komuna i ka pasur në llogari edhe 34 milionë e 821 euro të pa shpenzuara nga investimet kapitale.

Në organizatën INPO, e cila monitoron Komunën e Prishtinës thonë, se komuna po ballafaqohet me probleme të mëdha për realizimin e planit investivë.

Qëndrim Arifi, nga kjo organizatë tha për lajmi.net se Komuna edhe këtë vite nuk mund të veçohet për ndonjë punë të jashtëzakonshme, e cila do të ndikonte në mënyrë esenciale në mirëqenien e qytetarëve. Rrjedhimisht, sipas tij, komuna nuk ka zhvilluar ndonjë projekt madhor, ndërsa nevojat më të mëdha janë në aspektin infrastrukturorë.

“Sa i përket planit investiv, komuna me vite po ballafaqohet me problematiken e mos shpenzimit të buxhetit për investime kapitale, gjë e cila ndikon direkt edhe në planin investim, rrjedhimisht shumë projekte mbesin të pa filluara, respektivisht të pa përfunduara. Pra, ngecja më e madhe mund të konsiderohet mos shpenzimi i mjeteve për projekte kapitale. Për nëntë muaj komuna ka shpenzuar vetëm 19% të mjeteve për këtë kategori, dhe kjo ndikon direkt tek qytetarët sepse Prishtina ka nevojë për projekte kapitale shumëfish më shumë se sa buxheti që ka në dispozicion komuna për të”, tha Arifi.

Ai thotë se arsyet e mos shpenzimit të këtyre mjeteve janë të koncentruar kryesisht tek keqplanifikimi dhe joprofesionalizmi i njësive kërkuese, respektivisht drejtorive komunale.

“Keq planifikim sepse hartohen projektet pa u llogaritur kostot e shpronësimeve dhe problematikave të tjera që mund të dalin në terren, nuk përgatitet projektet në mënyrë profesionale dhe në afate të pranueshme kohore të cilat në realitet shpërfaqin probleme profesionale brenda drejtorive”, ka thënë mes tjerash Arifi.

INPO jep disa sugjerime se si mund të përmirësohet përformanca e dobët e komunës.

“Garanci për një qeverisje më efektive për vitin e ardhshëm është bashkëpunimi në mes të kuvendit komunal dhe ekzekutivit, rritja e kapaciteteve profesionale brenda drejtorive komunale, ushtrimi i presionit të vazhdueshëm nga ana e kuvendit komunal në drejtim të ekzekutivit e kështu me radhë”, ka thënë Arifi.

Eman Rrahamani, asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës thotë, se Komuna me kryetar Shpend Ahmetin, në të gjitha matjet del të jetë komuna me më së paku realizim të projekteve të planifikuar në krahasim me komunat tjera të Kosovës.

Ai thotë se për 9 muaj qeverisje për aq sa posedon raporte zyrtare nga Komuna nga rreth 50 milionë euro të ndara për investime janë investuar vetëm 9 milionë euro.

“Kjo qeverisje nëse e marrim me statistika të matjes së punës del të jetë qeverisja më e dobët që nga pas lufta”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Ai ka numëruar disa prej punëve më të mëdha që kanë ngecur.

“Investimet kapitale janë problemi kryesor. Janë premtuar 5 shkolla të reja nuk e kemi asnjë, janë premtuar 4 çerdhe për çdo vit dhe nuk e kemi asnjë të re, janë premtuar për çdo vit nga 4 parqe që i bie 16 deri në fund të mandatit e për dy vite është bërë vetëm një pra, 15 të premtuara nuk janë realizuar, janë premtuar 250 banesa sociale për nevojtarët nuk është bërë asnjë. Këto janë vetëm disa nga dështimet e Shpend Ahmetit në këtë qeverisje sepse lista është e pa fund. Harta Zonale dhe Plani Zhvillimor janë dy dokumentet me të rëndësishme për Prishtinën që do të duhej të miratoheshin, afati për miratimin e tyre ka qenë shtatori i vitit 2019, dhe kjo qëllimisht nuk po bëhet nga Komuna e Prishtinës duke orientuar ndërtimet përmes planeve të hollësishme në pronat që ata kanë interes dhe dëshirojnë. Këto dy dokumente do orientonin Prishtinën se si do të zhvillohej në mënyrë të barabartë në të gjitha lagjet dhe do të eliminohet mafia e ndërtimit ilegal e legal”, thotë Rrahmani.

Asamblisti i LVV-së thotë, se arsimi këto dy vite e veçanërisht në vitin e fundit ka degraduar shumë, ndërkohë thotë se punësimet partiake, mos investimet në shkolla, presionet politike për t’i shërbyer pushtetit kanë shkatërruar arsimin në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij, edhe shëndetësia me largimin e drejtorit Arben Vita ka filluar të dal nga binarët.

Në komunën e Prishtinë tashmë korrupsioni nuk është më tabu, thotë Rrahamni, derisa ka kujtuar se tashmë  janë dy zyrtar të arrestuar për korrupsion.

Rrahmani ka numërtuar disa prej arsyeve se pse po ka teprica të mëdha të parave çdo vit. “Arsyet e dështimit të Shpend Ahmetit janë : 1. Dembelia. Ai është mësuar që punët t’i kryej Lëvizja e suksesin ta merr Shpendi. 2. Tashmë ka kuptuar që është i humbur dhe qëllimi i tij është përfitimi i tij dhe grupeve të tyre e jo puna për qytetarët. 3. Nuk ka njerëz që punojnë, aty të gjithë janë të ardhur me pazare dhe llogaridhënie nuk ekziston”.

Për të gjitha këto përfaqësuesi i LVV-së në KK të Prishtinës ka disa sugjerime për kryetarin e Komunës së Prishtinës.

“Neve në çdo mbledhje për tema të caktuar japim sugjerime se si duhet të qeverisë, mirëpo ata nuk e kanë interesin të qeverisin. Shpëtimi i Prishtinës do të ishte që ai të jap dorëheqje dhe të kemi Kryetar të zgjedhur nga qytetarët dhe jo kryetar që vjedh mandate. Mbas 6 tetorit unë kryetarit të komunës Shpend Ahmetit i kam dërguar këto këshilla: 1. Të pezullon postin e kryetarit të Prishtinës. 2. Të shkarkojë dy nënkryetarët dhe të gjithë drejtorët.  3. Të kërkojë falje për tjetërsimin e vullnetit të mbi 42 mijë qytetarë të Prishtinës e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës. 4. Të emërojë dy nënkryetarët dhe drejtorët sipas kërkesave të VETËVENDOSJE!s. Ky do të ishte një rikthim i pushtetit të vjedhur dhe një mundësi e madhe për një kërkim falje për mandatin e vjedhur”, tha Rrahmani.

Asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri thotë, se nuk ka ndonjë punë për të cilën mund të veçohet kryetari Ahmeti në këtë mandat.

“Nuk është se kemi parë ndonjë punë të madhe në këtë vite. Bile mund të quhet një qeverisje dembele. Nuk kanë mundur që t’u japin përgjigje problemit të qytetarëve. Ato punë që janë nisur më herët, kanë ngecur në fillesë, ato çka është dashur të nisin nuk kanë nisur fare. E mos të flasim për problemet madhore, siç janë kolonat e gjata të veturave çdo ditë për të cilat nuk po munde të gjejë zgjidhje. Nuk ka asnjë masë të ndërmarrë për ndotjen e ajrit, përderisa është një rekomandim i Kuvendit komunal”, tha Retkoceri.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Agim Gashi, thotë se nuk është e thënë se të gjitha punët janë kryer keq, por nëse analizohen të gjitha shihet që dështimet janë evidente dhe janë të dukshme.

“Dështimet janë kryesisht në fushën infrastrukturore dhe në investimet kapitale. Madje, Ahmeti nuk  ka arritur që asnjë metër katror ta investojë në ndërtimin e objekteve shkollore në të tirja nivelet. Pastaj nuk  ka investuar në fushën e kanalizimeve dhe kolektorëve. Nuk ka investuar në fushën e menaxhimit të mbeturinave, nuk janë mirëmbajt parqet dhe hapësirat gjelbëruese në Komunën e Prishtinës sipas standardeve. Nuk janë ndërtuar trotuare dhe rrugë tjera të domosdoshme në komunën e Prishtinës. Mirëmbajtja dhe renovimi i rrugëve është vonuar dhe ju keni parë që shumë rrugë në Prishtinë janë të gërryer dhe nuk kanë arritur që t’i asfaltojnë. Kryesisht është investuar në projekte te vlerave të vogla në pjesët rurale. Nuk është investu edhe në fushën e mirëmbajtjes së institucioneve edukativo arsimore dhe furnizimin e tyre me materiale të nevojshëm për zhvillimin e procesit mësimorë”, tha Gashi për lajmi.net.

Ai thotë se në fushën e  kulturës dhe sportit investimet janë zero, me përjashtim të disa subvencioneve të shpërndara.

Gashi thotë, se arritur pak a shumë që të stabilizohet ndërmarrja “Tafiku Urban”, mirëpo edhe kjo, sipas tij, është bërë me parat e taksapaguesve të komunës, pasi që kompania nuk po arrin ta paguaj kredinë që e ka obligim ndaj BERZH-it, por këtë po e bën komuna e Prishtinës.

“Shërbimet pak a shumë janë stabilizuar. Në fushat e  tjera, sidomos në fushën e ndërtimeve pa leje, nuk ka arritur që të ndalojë ndërtimet pa leje dhe ka shumë ndërtime dhe tejkalim në ndërtime. Këto nuk i ka bërë transparente dhe ne kemi shumë evidenca se në shumë pjesë të komunës së Prishtinës kanë vazhduar ndërtimet pa kontroll. Edhe në të tjerat fusha siç është shërbimi i administratës, e shërbimet tjera ka rënë. Një arritshmeri që e ka pasur në fushën e shëndetësisë ka filluar që të me largimin e drejtorit që ka qenë ekzistues, ka rënë edhe shërbimet në fushën e shërbimeve mjekësore. Këto janë  disa nga karakteristikat. Shumë drejtori nuk kanë arritur që ta shpenzojnë asnjë cent të buxhetit të planifikuar. P.sh., drejtoria e parqeve, e Mirëqenies Sociale, ajo e Investimeve Kapitale, e Sportit etj., janë zero, dhe disa drejtori të tjera”, tha Gashi.

Zyra e informimit të Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjët lidhur më atë se cilat janë punët më të mëdha që ka kryer komuna në këtë vit dhe se ku ka pasur ngecje. /M.B -Lajmi.net/