Qeveria tenton të arsyetojë huqjen e Kurtit pasi ra pre e mashtrimit nga komedianët rus
Komedianët e njohur rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar një video ku pretendojnë se kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë. Për këtë një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga zyra e kryeministrit të Kosovës. Sipas tyre kjo ngjarje ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të…

Lajme
Komedianët e njohur rusë, “Vovan & Lexus”, kanë publikuar një video ku pretendojnë se kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë.
Për këtë një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga zyra e kryeministrit të Kosovës. Sipas tyre kjo ngjarje ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate”, thuhet në reagim.
Tutje në arsyetimin e zyrës së kryeministrit thuhet se ky incident përforcon edhe më tepër atë se Rusia është e fiksuar pas Kosovës.
“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, theksohet në reagim.
Ndryshe nga ZKM kanë thënë se u vjen keq që kryeministri Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë.
“Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/