Qeveria të shkojë në shtëpi

Ramush Haradinaj është i bindur në fitore, si në nivel nacional ashtu edhe në atë lokal. Ai thotë se AAK do të fitojë dhe do ta çojë Qeverinë aktuale në shtëpi.

Lajme

22/10/2013 15:24

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i bindur në fitoren e Kandidatit të tij Besnik Tahiri në Prishtinë.

Në një takim me të rinjtë e Prishtinës, Haradinaj tha se pret që AAK të fitojë edhe në zgjedhjet nacionale dhe ta çojë Qeverinë aktuale në shtëpi.

Sipas tij, qeverisja e vendit është në nivel të dobët si në atë nacional po ashtu edhe në atë lokal.

“Ne kemi ngecur, sepse menaxhimi politik, qeverisja është në parametra të dobët në nivelin nacional, është në parametra të dobët në nivelin e Komunës së Prishtinës”.

“Pse po i them këto? Nuk ka tregues të jetës tonë qoftë edhe aty ku ka progres të caktuar që e vërteton se jemi shumë ngadalë dhe ka shumë raste që ne po shkojmë prapa. Çka është treguesi më i mirë se qeverisja dhe politikëbërja po shkon prapa, humbja e besimit në politikëbërje, në institucione e në qeveritarë”.

Ndërsa për Kandidatin Besnik Tahiri, i pari i AAK`së thotë se ia zbardhi fytyrën si Aleancës ashtu edhe Kosovës.

“Besniku e ka filluar me përgjegjësi funksionin e vet, për Kandidat të Prishtinës, duke qenë se i prin listës suaj dhe synon edhe përfaqëson gjatë garës qytetarët, dhe e ka në plan që t’i udhëheqë qytetarët e Prishtinës, me të vërtetë na ka zbardhur fytyrën si Aleancë dhe si Kosovë, me punën e seriozitetin edhe me atë që ne e njohim si marrëdhënie të mirë njerëzore mes politikës dhe qytetarit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Besnik Tahiri ka thënë se ka një ofertë shumë serioze.

“Aleanca për Prishtinën, në rrugëtimin e vet për përpilimin e një oferte sa më serioze të një oferte sa më të dinjitetshme është angazhuar me gjithë mundin dhe me gjithë potencialin e vet për t’i dalë ballë Prishtinës,për t’i dal zot zgjedhjeve të tre nëntorit dhe mbi të gjitha për të fituar”.

Në këtë garë janë bashkuar dy elemente jashtëzakonisht të rëndësishme: ekspertiza profesionale që është pjesë e aleancës për Prishtinën dhe e mbi të gjitha është bashkuar njeriu, qytetari i Prishtinës që duke e përqafu vizionin tonë për ndryshim duke e nënshkruar kontratën tonë për ndryshim, është vërtetuar që beson dhe i kontribuon ndryshimit që i duhet Prishtinës”, ka thënë Tahiri.