Qeveria, pjesë e financimit të termocentralit “Kosova e Re”?

Qeveria e Kosovës po shqyrton mundësinë që të jetë pjesë e financimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Lajme

09/02/2015 19:35

Megjithëse ende nuk është marrë një vendim i tillë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se ende ka kohë të mendohet për një gjë të tillë pasi të kalojnë disa procese të këtij tenderi, raporton KTV.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria do t’i kontrollojë të gjitha marrëveshjet që fondi investues “Contour Global” do të arrijë me institucionet financiare për financim të ndërtimit të termocentralit.

Sipas projektit, ky fond nuk pritet të ndërtojë termocentralin. Stavileci ka bërë të ditur se numri i punëtorëve ende nuk dihet, ndërsa ndërtimi ka shumë gjasa të nisë nga viti i ardhshëm.

Ndaj tenderit për ndërtimin e TC “Kosova e Re” ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se përfitimet e vetme të Kosovës nga ky projekt janë tatimet, tantiemat dhe të punësuarit aty, e që janë përfitime shumë më të vogla krahasuar me fitimin që do të mund të vinte po të ishte termocentrali në pronësi publike apo publike-private.

Projekti parasheh që të ndërtohen dy blloqe me kapacitet prej 600 megavatësh, raporton KTV.