Qeveria pa vizion për politikat mbrojtjes dhe të sigurisë
Programi i mbrojtjes dhe sigurisë së AAK-së parasheh që forca mbrojtëse të quhet Ushtria e Kosovës. Edhe profesori Riza Smaka mendon se forcat e armatosura duhen të quhen ushtri. Ramush Haradinaj tha se krijimi i FAK-ut erdhi si lajm zgjedhor.
Lajme
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Qeveria ka pasur mungesë të qasjes së kujdesshme dhe serioze lidhur me politikat e mbrojtjes.
Në një tryezë të organizuar nga AAK që për temë kishte sigurinë në vend, Haradinaj tha se lajmërimi për shdërrimin e FSK-së në FAK ka qenë më shumë një lajm zgjedhor, por se ky proces sipas tij ka hasur në ngecje dhe ndonjëherë në mashtrime nga Qeveria.
“Jemi dëshmitarë se gjithë këto vite të pasluftës, po flasim për vitet e qeverisjes si shtet i pavarur, ka munguar një qasje e kujdesshme, serioze lidhur me politikat e mbrojtjes, përgjegjësive por dhe për Ushtrinë e Kosovës”.
“E së fundmi po ashtu jemi dëshmitarë se Ushtria e Kosovës është kthyer në një kauzë zgjedhore, kur njoftohet për planet për FAK-un”.
“Ju them sinqerisht se e tëra nuk mjafton si e tillë, as qasja e deritashme as mënyra e lajmërimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, por as ajo që ka pasur pas këtij lajmërimi zgjedhor, pas këtij lajmi zgjedhor nga kryetari i Qeverisë, Hashim Thaçi”.
“Do ta quaja këtë moment një fitore në këtë drejtim sepse pa marrë parasysh ngecjet dhe në një masë edhe mashtrimet që kanë ardh nga Qeveria e vendit, rreth këtyre temave, megjithatë ekzistojnë njerëz që punojnë seriozisht në këtë drejtim”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Kryesuesi i Departamentit për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Rrustem Berisha tha se AAK para sheh që të forca mbrotjëse të quhet Ushtri e Kosovës si dhe të krijohet Ministria e Mbrotjes.
Berisha tha se politika e mbrojtjes së AAK-së është e harmonizuar me infrastrukturën ligjore të BE-së dhe NATO-s. Ai tha se kjo politikë nuk duhet të shihet asesi si “shprehje e armiqësisë” për ndonjë “pretendim territorial.
“Programi i AAK-së për Qeverinë e re, paraqet risi në fushën e politikave të mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, me orientim të thellë Evropian dhe Euroatlantik. Ky program do të jetë në përputhshmëri të plotë me programet dhe konceptet e të gjithë dikastereve të sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të ndërtimit të infrastrukturës së harmonizuar ligjore për integrime në NATO dhe BE”.
“AAK- ka për synim të qartësojë se zhvillimet e reja në Kosovë, nuk kanë për qëllim shprehjen e armiqësisë dhe nuk bëhen për të mbështetur ndonjë pretendim territorial”.
“Konsideroj se objektivi ynë strategjik është që FSK-në ta shndërrojmë në Ushtri profesionale, të besueshme, e cila do të ndërtohet sipas standardeve të NATO-s, dhe do të jetë e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe e përgatitur për pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare në mbështetje të paqe në botës”, tha Rrustem Berisha.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka tha se shndërrimi i FSK-së në Ushtri kërkon një morri ndryshimesh kushtetuese.
“Në rastin e vendit tonë rregullimi kushtetuare e rrjedhimisht ligjor i komponentë së mbrojtjes dhe sigurisë së integritetit të vendit, është temë dhe diskurs politik jo vetëm i strukturave politike vendore por dhe ndërkombëtare”.
“Përderisa komponeta politike kosovare ishte dhe është e përcaktuar ndërsa përfaqësuesit të autorizuar të NATO-s u deklaruan pro promovimit dhe transformimit të FSK-së në një strukturë kuantitative dhe kualitative më të lartë dhe solide, apriori u krijua baza politike për promovimin e saj në Ushtrinë e Kosovës”.
Smaka tha se emërtimi Forca e Armatosura të Kosovës mund të definohej më ndryshe. Ai propozoi që të ndryshohen edhe disa nene të Kushtetutës, me theks të veçantë qëllimi Ushtrisë dhe neni ku Presidenti duhet të definohet si komandat suprem.
“Gjithsesi, ky emërtim së paku në këtë etapë është kovensional i cili do të mund të definohej edhe paksa më ndryshe”.
“Pos bazës politike për transformimin e FSK-së dhe për promovimin dhe transformimin e saj në Ushtrinë e Kosovës kërkohet krijimi i bazës kushtetuare përkatëse, e cila do të mund të arrihej nëpërmjet modifikimit dhe plotësimit të caktuar të Kushtetutës së Kosovës”.
“ Titulli i nenit 126 : Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhej të riformulohej në Ushtria e Kosovës”.
“Paragrafi një i këtij neni do të duhej të modifikohej siç vijon : Ushtria e Kosovës është forcë kombëtare për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës e cila në përputhje më përgjegjësitë kombëtare, mund të dërgojë pjesëtarët e vet jashtë vendit”.
“Paragrafi i tretë i nenit 126, Presidenti është komandat i përgjithshëm i forcës së sigurisë do të duhej të modifikohej në këtë version:Presidenti i Kosovës është komandant suprem i UK e cila në konform me ligjin u përgjigjet autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike” tha profesori Riza Smaka.