Qeveria nis procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt
Qeveria e Kosovës nisi procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt në vlerë 27.9 milionë euro. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën iu dha drita e gjelbër edhe koncept-dokumentit për zhvillimin e kornizës rregullative të tregjeve financiare të Kosovës dhe dy marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë 70 milionë euro. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se…
Lajme
Qeveria e Kosovës nisi procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt në vlerë 27.9 milionë euro. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën iu dha drita e gjelbër edhe koncept-dokumentit për zhvillimin e kornizës rregullative të tregjeve financiare të Kosovës dhe dy marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë 70 milionë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me ndërtimin e Spitalit të Ferizajt do të rriten kapacitetet infrastrukturore dhe shërbimeve paraklinike në këtë komunë si dhe ato përreth.
“Me qëllim të rritjes së kapaciteteve infrastrukturore dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve paraklinike në komunën e Ferzajt, Ministria e Shëndetësisë bazuar në Ligjin për buxhetin kërkon aprovimin e propozimvendimit për inicimin procedurave si projekt shumëvjeçarë në vlerën 27.9 milionë euro”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me miratimin e koncept-dokumentit për zhvillimin e kornizës rregullative të tregjeve financiare do të zhvillohet edhe më tej ekonomia e Kosovës.
“Ky është hapi i radhës në mënyrë që zhvillohet më tutje ekonomia e vendit. Do të krijohet edhe një katalizator shtesë për mundësi e qasje të reja në financim për bizneset tonë në mënyrë që të rriten përtej produkteve të tanishme financiare siç janë kreditë nga sektori bankar. Në kuadër të zhvillimeve që kemi nisur edhe për themelimin e Bankës Zhvillimore ky vendim paraqet hapin e radhës për ndërtimin e një ekonomie moderne dhe që ka qasje në instrumentet financiare”, tha ai.
Ai prezantoi edhe dy marrëveshje ndërkombëtare mes ministrisë që drejton, KfW, Frankfurt Am Main dhe kompanisë regjionale Pastrimi për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II.
Ai tha se njëra marrëveshje është grant kurse tjetra kredi e butë në vlerë 70 milionë euro.
Por, Murati ngriti shqetësimin se ky projekt mund të dështojë për shkak se Komuna e Prishtinës ka shpall tenderë për kontraktimin e shërbimeve të njëjta që ofron kompania Pastrimi.
Sipas tij, kryeqyteti duhet të rishqyrtojë ky vendim dhe të mbështetet kompania regjionale Pastrimi për fuqizim të kapaciteteve.
“Kohëve të fundit ka një problem sa i përket menaxhimit dhe raportit me komunën. Me aq sa jemi në dijeni komuna e Prishtinës ka shpallur tenderë për kontraktim të shërbimeve të njëjta që ofron kompania Pastrimi. Kësisoj vendoset në rrezik projekti në fjalë që është në vlerë 70 milionë euro dhe 50 milionë euro parashihen të jenë grante. Të rishqyrtohet ky veprim në mënyrë që sigurohemi që bashkërisht të mbështesim ndërmarrjen Pastrimi”, nënvizoi Murati.
Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për inspektoratin qendror të shëndetësisë si dhe Projektligjin për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin, kontrollin e duhanit, produktet e duhanit dhe produktet e ndërlidhura.
Po ashtu u emërua Luan Sylaj, drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.