Qeveria në hartim të një ligji të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Një ligj i ri është duke u hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, i cili do të trajtojë diskriminimin racor dhe antigjipzismin. Kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor “Mësimet…

Lajme

26/11/2024 13:44

Një ligj i ri është duke u hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, i cili do të trajtojë diskriminimin racor dhe antigjipzismin.

Kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor “Mësimet e nxjerra, rekomandimet, dhe hapat e mëtutjeshëm në luftimin e diskriminimit racor – antigjipsizmit”.

Kurti ka shtuar se përmes ofrimit të shërbimeve sociale, familjet e tyre janë ndihmuar të aplikojnë për pjesëmarrje në pilotimin e skemës së re sociale.

E 17 përqind e individëve përfitues në skemë, janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Qeveria jonë po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, duke trajtuar diskriminim racor dhe antigjipzisimi… Puna e tyre po zgjerohet edhe më shumë përmes ofrimit të shërbimeve sociale si psh me asistim të qytetarëve në qasjen e shtesave për fëmijët dhe ato të lehonisë që ofrohen nga qeveria ose në subvencionet për faturat e energjisë elektrike. Qendrat i kanë ndihmuar familjet të aplikojnë për pjesëmarrje në pilotimin e skemës së re sociale që e kemi lansuar, 17 për qind e individëve përfitues në skemë, janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, Ambasadori i Zvicrës ne Kosovë, Jurg Sprecher ka shtuar se në një hulumtim të fundit në Kosovë, ka dal se ende ka qëndrime diskriminuese ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

“Mbetet një sfidë e vazhdueshme në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.. Integrimi i grupeve të margjinalizuara nuk ka të bëjë vetëm më të drejta e njeriut, ka të bëjë me shpalosjen e potencialit të plotë të qytetarit, për të kontribuar në një shoqëri më kontribuese. Statistikat janë shqetësuese, sipas një studimi të bërë së fundi në Kosovë, ende ka qëndrime diskriminuese ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian”, ja shtuar ai.

E Shefi i zyrës së Terres Des Hommes në Kosovë, Pajtim Zeqiri ka vijuar se transformimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse paragjykimet e stereotipat zëvendësohet me respekt e diverzitet.

“Transformimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse paragjykimet e stereotipat zëvendësohet me respekt e diversitet, përjashtimi të hap rrugën për përfshirjen, ndërsa gjuha e urrejtjes duhet të zëvendësohet me gjuhen e mirëkuptimit e tolerancës”, ka vijuar ai.

Objektivat e Samitit përfshijnë forcimin e vullnetit politik për veprime transformuese për të adresuar racizmin sistemik dhe diskriminimin racor.