Qeveria në detyrë njofton se nga “kursimet” do të ndajnë para për RTK-në
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka komentuar situatën financiare të RTK-së, duke theksuar se ekzekutivi është detyruar të ndërmarrë një zgjidhje të përkohshme për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik. Kurti kujtoi se në muajin gusht qeveria kishte mundësuar një overdraft për RTK-në, me shpresën se pas konstituimit të Kuvendit dhe…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka komentuar situatën financiare të RTK-së, duke theksuar se ekzekutivi është detyruar të ndërmarrë një zgjidhje të përkohshme për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik.
Kurti kujtoi se në muajin gusht qeveria kishte mundësuar një overdraft për RTK-në, me shpresën se pas konstituimit të Kuvendit dhe komisioneve parlamentare do të gjendej një zgjidhje e qëndrueshme, raporton lajmi.net
“Që në muajin gusht ne e bëmë një zgjidhje të përkohshme, duke dhënë overdraftin për RTK me shpresën që pas konstituimit të kuvendit dhe themelimit të komisioneve parlamentare, të arrihet zgjidhja e duhur për të cilën kishim përgjegjësi të gjitha partitë politike parlamentare”, tha ai.
Ai tha se qeveria nuk kishte votat e mjaftueshme në Kuvend për miratimin e pagave për RTK-në, pasi, sipas tij, partitë e tjera parlamentare e kishin kundërshtuar kategorikisht këtë.
“Sikurse e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje, mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve,” u shpreh Kurti.
Ai e quajti vendimin e sotëm “një improvizim të detyruar”, i cili vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme në Kuvend për miratimin e buxhetit të RTK-së.
“Pra kjo zgjidhje e sotshme, apo më mirë të themi mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në kuvend për ta miratuar aty buxhetin për RTK’në”, tha ai./Lajmi.net/