Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila shfuqizoi Udhëzimin Administrativ NR. 01/2025 për përdorimin e pajisjeve fiskale, me arsyetimin se ky akt u miratua nga një qeveri dhe ministër në detyrë, të cilëve, sipas Gjykatës, u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.
Në komunikatën zyrtare, Qeveria thekson se ky arsyetim “është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore.” Ajo nënvizon se “neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë.”
Megjithatë, reagimi i Qeverisë duket të neglizhojë kufizimet që zbatohen për qeveritë në detyrë dhe rëndësinë e respektimit të parimeve të stabilitetit institucional. Në po të njëjtën komunikatë, Qeveria argumenton se “procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor,” duke kërkuar kështu legjitimitetin e plotë procedural.
Qeveria e mohon mundësinë e një konflikti funksional ndërmjet ministrit në detyrë dhe deputetit, duke rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas së cilit “Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar,” dhe për rrjedhojë “nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit.”
Në fund, Qeveria thekson angazhimin e saj për “respektimin e rendit kushtetues dhe ligjor” dhe paralajmëron se “do të shfrytëzohen mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike.”
Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me vendimin arbitrar të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ
Prishtinë, 15 korrik 2025
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shfuqizuar një Udhëzim Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë me arsyetimin se ky akt është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër në detyrë, të cilëve gjoja u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.
Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë.
Për më tepër, procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.
Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit.
Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO124/25, në dispozitiv por edhe në paragrafin 93 ka sqaruar se “…. Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht.
Ndaj këtij vendimi do të shfrytëzohen mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike./lajmi.net/