Qeveria miraton marrëveshjet IPA: 271.8 milionë euro mbështetje për Kosovën
Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027. Në kuadër të pikave të miratuara është edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për “Programin IPA 2021”.…
Lajme
Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Në kuadër të pikave të miratuara është edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për “Programin IPA 2021”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se amendamenti krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian dhe mundëson vazhdimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 22.2 milionë eurove.
“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amandamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, tha Kurti.
Në mbledhje u miratua edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për “Programin IPA 2022”.
Sipas Kurtit, me këtë amendament krijohen kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 55.7 milionë eurove të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.
“Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve”, tha Kurti.
Po ashtu, Qeveria miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Kurti bëri të ditur se ky program parasheh mbështetje për projekte në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh.
“Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milion euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë. Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara”, tha Kurti.