Qeveria merr vendim për pagën e 13-të, përfshihen edhe gratë lehona e ata që s’morën fiks 12 paga

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik. Kryeministri Albin Kurti tha se ky është një përmbushje e premtimit të bërë më herët. “Siç kemi premtuar po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete.Pagesa e 13-të…

Lajme

30/03/2026 09:46

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky është një përmbushje e premtimit të bërë më herët.

“Siç kemi premtuar po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete.Pagesa e 13-të synon të mbështesë mirëqenien e familje vetë tyre dhe të lehtësojë barrën financiare. Ky hap kontribuon në rritje e dinjitetit dhe qëndrueshmërinë”,deklaroi Kurti, transmeton lajmi.net.

Pas kësaj, detaje dha ministri i Financave, Hekuran Murati, ku tha se për personat që nuk i kanë marrë fiks 12 paga janë dakorduar me Thesarin që për ta të jepet pjesa e pjesshme, pra për aq muaj sa ishin të angazhuar në 12 muajt e fundit iu takon edhe një pjesë e pagës së 13-të, e ngjashëm ndodhë edhe me ata që punojnë me orar të pjesshëm, e jo të plotë.

“Po ashtu edhe për gratë lehona e kemi llogaritur sikur kanë punuar me pagë të plotë, në mënyrë që t’u njihet paga e 13-të. E po ashtu kemi marrë vendim që ata që janë suspenduar si punonjës të mos u jepet paga e 13-të”,deklaroi Murati, transmeton lajmi.net.

Pas kësaj pa asnjë kundërshtim është miratuar propozim-vendimi për pagën e 13-të./Lajmi.net/