Qeveria merr vendim për formimin e Fondit Zhvillimor (Video)

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur të mërkurën ka miratuar propozimin e vendimit për themelimin e Komisionit qeveritar për hartimin e koncept–dokumentit, i cili parash formimin e Fondit Zhvillimor.

Lajme

04/03/2015 13:37

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, tha se ky fond do krijojë rritje të zhvillimit ekonomik, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Fondi për investim dhe punësim do t’i ndihmojë rritjes ekonomike të Kosovës, krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të qasjes në financa dhe me kushte të volitshme për sipërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe korporatat”, ka thënë Shala.

Ndërsa ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka kërkuar që ky Fond të mos quhet Fond me koncept-dokument.

Madje ai ka thënë se është me rëndësi të ketë bazë edhe juridike jo vetëm brenda Qeverisë por edhe në Kuvend.

“I kemi tri çështje që do t’i definojmë sot , e para do ta quajmë komisioni për themelimin e fondit dhe jo për koncept dokument… E dyta mendoj që ky niveli i përfaqësimit duhet të përfaqësohet dhe udhëhiqet nga kryeministri se është fondi shumë me rëndësi… pastaj komisionin e udhëheq kryeministri…dhe ky fond pastaj do të ketë bazën e nevojshme juridike jo vetëm brenda Qeverisë por edhe në Kuvend me ndryshimin e ligjeve që besojmë që do t’i shohim janë të domosdoshme sikur që ky fond do të jetë në mënyrë permanente jo vetëm për themelimin e tij por për menaxhimin e tij i cili me siguri do t’ i kërkojë disa vite”, ka thënë Kuçi.

Po ashtu me kërkesë të ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies, Arban Abrashi, Qeveria vendosi që në përbërje të këtij komisioni të ketë përfaqësues të këtyre dy ministrive.

Po ashtu Qeveria ka aprovuar edhe propozimin për dhënien e pajtimit për përjashtim nga fushë veprimtaria e ligjit nr 94/L-042 për Prokurimin Publik. Në parim është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe të Kosovës për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e sigurisë.

Edhe nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet qeverive të Maqedonisë dhe të Kosovës për kushtet e udhëtimit të shtetasve të dyja vendeve është miratuar në parim nga kabineti qeveritar. Marrëveshja rregullon lëvizjen e shtetasve të të dyja vendeve në territorin e palës tjetër pa viza dhe me një dokument të vlefshëm udhëtimi ose kartë të vlefshme biometrike të identitetit dhe do të avancojë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

Gjithashtu Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve ka marr miratimin në parim në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Të dyja vendet do të njohin patentë shoferët e lëshuar nga autoritetet kompetente dhe në pajtim me legjislacionin e tyre kombëtar.

Në mbledhjen e Qeverisë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Gjermani dhe për takimet e zhvilluara atje. Ai e ka vlerësuar lart përkushtimin dhe mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në të gjitha proceset zhvillimore. Në takimet e zhvilluara me homologun dhe zyrtarët tjerë të lartë të shtetit gjerman, është theksuar angazhimi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

YouTube player