Qeveria merr vendim, mjete shtesë për mjekët, infermierët dhe zyrtarët policorë

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës. Me këtë rast është miratuar propozim-vendimi që të ndahen mjete shtesë për sektorin e shëndetësisë dhe atë të sigurisë sa i përket muajve prill dhe muajin maj.

Lajme

21/04/2021 16:44

Nga Qeveria Kurti është paraparë të ndahen gjithsej mbi 5 milionë euro që do të përfshijnë ndarjen e shtesave për mjekët, infermierët dhe zyrtarët policorë.

“Për sektorin shëndetësorë publik në vlerë deri në 4 milionë euro që ka të bëjë me pagë shtesë mujore prej 150 euro bruto për mjekët dhe infermierët dhe 100 euro për stafin shëndetësorë”, tha ministri Hekuran Murati, transmeton lajmi.net.

Ai tutje shtoi se për sektorin e sigurisë janë paraparë 1 milionë e 887 mijë euro në kategorizimin e shpenzimeve dhe pagave shtesë.

“Për zyrtarët aktivë policorë të angazhuar në terren dhe të ekspozuar në zbatimin e detyrave në menaxhimin e pandemisë.Shtesa për muajin prill dhe maj për secilin veç e veç në vlerë nga 100 euro”, shtoi ai./Lajmi.net/