Qeveria me opozitën do të flas përmes realizimit të premtimeve

Qeveria e re e koalicionit PDK-LDK, po kritikohet shumë nga opozita, për gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Por, Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka thënë se me opozitën do të flasin përmes realizimit të premtimeve dhe realizimit të programit qeveritar, i cili në dy të tretat e tij i takon zhvillimit ekonomik të vendit.

Lajme

01/03/2015 20:16

Hoti në një intervistë në RTK ka thënë se koha e debateve ka mbaruar dhe tash është koha për punë.

Ai duke folur për programin qeverisës dhe reformat, ka thënë se bëhet fjalë për një program bukur voluminoz i punuar nga ekspertët.

“Pjesa më e madhe e saj është zhvillimi ekonomik pas që ne dëshirojmë ta ndërrojmë komplet diskursin politik prej diskutimeve për dialog dhe diskutimeve politike. Diskutimet për zhvillimin ekonomik zënë diku dy të tretat  e komplet programit, pjesa tjetër është sektorë të tjerë që ndihmojnë zhvillimin ekonomik, direkt apo indirekt, siç është sundimi i ligjit, integrimet evropiane, politika e jashtme, arsim e shëndetësi. Por, pjesa ekonomike është qenësore”.

Ministri i Financave, ka bërë të ditur se do të shqyrtohen mundësi të zvogëlimit të TVSH-së për produktet bazike, dhe rritjen për disa të tjera.

“Ligji i TVSH është qenësor, po diskutojmë aty për uljen e pragut të TVSH-së në 20 mijë apo 30 mijë varësisht prej analizave që përfundimisht do t’i kemi prej departamentit për politika makroekonomike. Po bisedojmë për përshkallëzimin e TVSH-së, për të vendosur një normë të TVSH-së, 6 ose 7 për qind për produktet bazike elementare, ku familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme shpenzojnë shumicën e të ardhurave të tyre në to, siç është buka, sheqeri, vaji, furnizimi me ujë, mbeturinat dhe produktet e tjera bazike. Do të vendosim një normë ndoshta 16-17 për qind për produktet e tjera”.

Sa i përket faljes së borxheve deri në vitin 2008, ministri Hoti ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, do të paraqitet rekomandimi i komisionit për procedurën që duhet të ndiqet për faljen e tyre. “Ne po shqyrtojmë opsione të ndryshme, që deri më 31 dhjetor 2008 të falim të gjitha borxhet që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj institucioneve publike duke implementuar një skemë të kushtëzimit me pagesën e borxheve pas vitit 2009. Pas kësaj ne do të ndjekim edhe rrugët ligjore për të implementuar këtë vendim”. (lajmi.net)