Qeveria me ndryshime fiskale do ta rrisë çmimin e gazit në Kosovë

Propozimi i Qeverisë së Kosovës që të heqë doganën për lëndët djegëse si propani, butani dhe gazi do të ndikoj në rritjen e çmimit për këto produkte në tregun e Kosovës.

Lajme

28/09/2015 20:56

Në fakt, pagesa e tarifave doganore për këto produkte nuk është bërë në rreth 70 për qind të rasteve meqë një përqindje e tillë e gazit ka hyrë në Kosovë nga vendet që janë nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-së.

Propozimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e doganës dhe rritjen e akcizës në fakt rritë për disa centë litrën e këtyre produkteve.

Gazi i importuar nga vendet e CEFTA-së ka hyrë pa doganë në Kosovë ndërsa tash do i shtohet akciza për 0.05 euro në litër dhe po ashtu kur i shtohet TVSH-ja prej 18 për qind në këtë produkt çmimi i tij në import do të arrijë 0.59 euro për litër, raporton lajmi.net.

Në mbrojtje të ndryshimeve fiskale për këto produkte ditë më parë kishte dale edhe Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë që ky ndryshim nuk do të ketë efekt në çmimin e këtyre lëndëve djegëse në treg, por pas analizës së tregut shihet se do të ketë një ngritje e çmimit.

“Nuk është rritur akciza në naftë. Është hequr dogana në propan, butan dhe gaz. Heqja e doganës është zëvendësuar me rritje të akcizës në po të njëjtat lëndë, propan, butan dhe gaz. Ky ndryshim nuk ka efekt në çmime të këtyre lëndëve djegëse në treg, por vetëm e plotëson një kërkesë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Akciza në naftë mbetet e paprekur!”, kishte shkruar Havolli në Facebook.

Por, një litër gaz aktualisht në import kushton 0.22 euro dhe nga ky çmim do të hiqen 10 për qind dogana dhe do t’i shtohet 0.05 euro për litër në akcizë e cila kur mblidhet me 18 për qind TVSH jep një cmim prej 0.059 euro në litër.

Përkundër deklaratave dhe premtimeve fillestare për uljen e çmimeve dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, Qeveria aktuale me ndryshimet fiskale vetëm sa ka rritur taksat (dhe çmimet e konsumit), duke e varfëruar edhe me tej qytetarët. /Lajmi.net