Qeveria liron nga borxhet e KEK-ut rreth 50 mijë familje

Korporata Energjetike e Kosovës i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që t’ua falë borxhet familjeve të kualifikuara si raste sociale. Kjo e dyta, ka rekomanduar që KEK së bashku me MPM-në të hartojë listën e familjeve në mënyrë që t’u shlyhen borxhet.

Lajme

18/04/2014 14:32

Qeveria e Kosovës është pajtuar me propozimin që i ka ardhur nga KEK, për t’i falur borxhlinjtë e KEK-ut që kategorizohen si raste sociale, të cilat nuk janë shlyer deri më tani.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se me qëllim të përkrahjes për këtë kategori të shoqërisë do të falen borxhet e vjetra  deri të datës 1 shkurt 2013 kur edhe është privatizuar KEK-u.

“Propozimi i KEK-ut është në linjë me politikat e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kategoritë sociale dhe për të ofruar një mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Përmes vendimit të bordit të KEK-ut, për faljen e borxhit për kategoritë sociale në mënyrë të drejtpërdrejtë do të lirohen, do të falen dhe do të përkrahen rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës pra rreth 50 mijë familje”, ka thënë sot kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Gjithashtu, ai ka rekomanduar Korporatën Energjetike të KEK-ut, që në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale të hartojnë listën e familjeve të cilët kanë qenë në asistencë sociale deri më 1 shkurt të vitit 2013.