Qeveria “legalizon vjedhjen” e dokumenteve kadastrale nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka iniciuar Ligjin përmes të cilit do të bëhet verifikimi i pronave në Kosovë, që derivon direkt nga Marrëveshja për kthimin e kopjeve kadastrale.
Lajme
Bëhet fjalë për Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës, që sipas opozitës një ligj i tillë legalizon “vjedhjen” e dokumenteve origjinale kadastrale nga ana e Serbisë, shkruan e përditshmja “Koha Ditore”.
Me ligj parashihet themelimi i një agjencie që shumë më tepër është ndërkombëtare, me financim të veçantë, që sipas deputetëve opozitarë, është jashtë sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.
Bordi i kësaj agjencie do të përbëhet prej pesë anëtarëve. Emërimi i anëtarëve të Bordit bëhet në pajtim me Ligjin NR. 04/L -274, për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të Ligjit në Kosovë.
Dy anëtarë emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas propozimit nga Kryeministri. Tre anëtarë, emërohen nga Përfaqësuesi Special të Bashkimit Evropian (PSBE). Kryesuesi i Bordit zgjidhet nga Bordi Mbikëqyrës. Anëtarët e Bordit zgjidhen për një mandat 3-vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes.