Qeveria kritikohet se nuk shpenzoi asnjë centë për qentë endacak

Ani pse sot është adoptuar qeni endacak i një mijtë nga një qytetare në Qendrën për Trajtimin e qeneve endacak, ende po ekzistojnë qentë endacak cepave të Prishtinës. Deri më tani, janë vaksinuar e sterilizuar katër mijë qenë endacak, ndërsa rrugëve të kryeqytetit po sillën rreth 3 mijë e 500 apo 4 mijë. Kryetari i…

Lajme

01/04/2025 12:33

Ani pse sot është adoptuar qeni endacak i një mijtë nga një qytetare në Qendrën për Trajtimin e qeneve endacak, ende po ekzistojnë qentë endacak cepave të Prishtinës. Deri më tani, janë vaksinuar e sterilizuar katër mijë qenë endacak, ndërsa rrugëve të kryeqytetit po sillën rreth 3 mijë e 500 apo 4 mijë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se komuna ka bërë një punë të madhe në menaxhimin e qenve endacak, duke kritikuar mungesën e përkrahjes nga niveli qendror. Ai ka shtuar se edhe pse janë ndarë 9.8 milionë euro buxhet për këtë çështje, deri më tani nuk është shpenzuar asnjë cent nga Qeveria.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës përkrahje për të larguar të gjithë qentë endacak në të gjitha komunat, jo vetëm në kryeqytet.

Përparim Rama theksoi edhe se që nga janari deri më tani kanë ndodhur 44 incidente, kafshime, të përfshirë dy fëmijë.

“E dimë që kemi pasur sfida të mëdha me qenët endacak dhe vazhdojmë të kemi sfida. Për këto tri vite kemi arrit 4 mijë qenë me i kastruar, vaksinuar e sterilizuar. Po e bëjmë gjithë këtë punë pa as një ndihmë nga niveli qendror. Ata kanë thënë se janë ndarë një buxhet 9.8 milionë euro, por deri me sot kanë shpenzuar zero buxhet në ndihme ndaj Komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera. Në vitin e kaluar kanë ndodhur 194 incidente, tre fëmijë të përfshirë, ndërsa nga janari deri tani kanë ndodhur 44 incidente, kafshime, prej tyre dy fëmijë dhe është problem që duhet të merremi. Publikisht, kërkoj nga qeveria e Kosovë që të na bashkëngjitet në zgjidhjen e këtij problemi, jo vetëm të caktojnë buxhet dhe të mos e shpenzojnë”, tha Rama.

Ndërsa, drejtori i shërbimeve publike, Bekim Brestovci tha se pavarësisht pranisë së qenve endacakë në qytet, tashmë janë një mijë më pak. Ai potencoi se sfidë po mbetet sjellja e qenve nga zonat tjera në Prishtinë.

“Sa do që dikush mund të sheh qenë në Prishtinë, sot i kemi 1 mijë qenë më pak në hapësira publike. Po bëjmë apel që edhe niveli qendror të na ndihmoj. Një prej problemeve që po na paraqitet në vazhdimësi, është sjella e qenve nga zonat e tjera”, shtoi Brestovci.

Qytetarja e cila ka adoptuar 10 qenë me atë sot, Florentina Bajrami u shpreh e kënaqur që mund të adaptojë qentë endacak.

“Ne jemi shumë të kënaqur që mund të adaptojmë qenë, që ata kenë një ambient më të ngrohët. I bëjë apel qytetarëve që të mos blejnë qenë por ti adaptojnë ata”, është shprehur ajo.

Të gjithë qytetarët qe adoptojnë qen endacak, fitojnë nga 50 euro në muaj nga Komuna e Prishtinës, por gjobat për ata që nuk i përmbahen kontratës janë deri në 3 mijë euro.