Qeveria heq taksën e sigurimit prej 35 eurosh për bashkatdhetarët?

Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta heqë taksën prej 35 eurove, të cilën e paguajnë bashkëatdhetarët tanë, të cilët zgjedhin të vijnë me vetura për pushime në Kosovë.

Lajme

01/04/2015 17:20

Kjo çështje është ngritur sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, ku kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani ka thënë se janë duke i shikuar të gjitha mundësit ligjore që kjo pagesë të hiqet.

Ai po ashtu ka thënë se ekziston baza ligjore dhe se për këtë është konsultuar me guvernatorin e Bankës Qendrore, nga i cili ka kuptuar se ka mundësi ligjore.

Ai ka thënë se kompanitë e sigurimeve janë ato që kanë prishur marrëveshjen me Byronë e Kartonit të Gjelbër. Për këtë iniciativë janë pajtuar edhe anëtarët e Komisionit.

Po ashtu, në këtë komision është bërë e ditur se në vendimin e Qeverisë për ndryshimet e akcizës në vendimin e kryeministrit ka qenë një gabim teknik, ku nuk është theksuar se me ndryshimet e fundit në akcizë është hequr akciza për importin e veturave të reja.

“Këta të kompanive të sigurimit, në prag të nënshkrimit të një marrëveshje me Byronë e Kartonit të Gjelbër, kompanitë tona e kanë prishur vetëm mos me u arrit ajo marrëveshje për arsye se atyre nuk ju konvenon. Unë këtë vetëm e hapa për me ju tregu një iniciativë që tani ta shikojmë sot që t’i grumbullojmë këto mundësi ligjore që bëhen dhe ta fillojmë një procedurë me duket shumë korrekte, ka thënë Osmani.

Ai ka velrësuar se kjo që ju bëhet bashkatdhetarëve tanë është e padrejtë, duke shtuar se çdo vit Kosova nga remitancat përfiton të hyra 600 deri në 700 milionë euro. Andaj, sipas tij, nuk është në rregull që këtyre njerëzve t’iu merren 35 euro në kufi e që krejt kjo është një vlerë 1 deri në 2 milionë euro në vit.

Po ashtu, komisioni me disa vërejtje ka miratuar raportin vjetor të punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP), si dhe ka miratuar raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Komisioni ka miratuar projektligjin për tratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregullores FACTA. Po ashtu, ky komision ka proceduar në seancë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitit 2015.