Qeveria gjermane distancohet nga ish-kancelari Schroeder

Qeveria e Gjermanisë e ka distancuar vetveten nga ish-kancelari Gerhard Schroeder, pas raporteve se ai ka marrë pjesë në një pritje me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, përkundër tensioneve ndërmjet Berlinit dhe Moskës, lidhur me krizën në Ukrainë.

Bota

29/04/2014 16:09

Mediat gjermane kanë raportuar se Schroeder kishte marrë pjesë dje në një takim në Shën Petersburg të Rusisë, të organizuar nga operatori i gazsjellësit Rrjedha Veriore AG.
 
Schroeder është kryesues i bordit të kësaj kompanie, Raporton RFE.
 
Pas takimit, raportohet se Putin ka marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së 70-të të Schroederit.
 
Zyrtarët gjermanë thanë sot se Schroeder nuk ishte në Rusi si i dërguar i qeverisë së kancelares, Angela Merkel.
 
Schroeder, që ishte kancelar i Gjermanisë prej vitit 1998 e deri në vitin 2005, ka marrëdhënie të mira me Putinin, ndërsa një herë ka thënë se presidenti rus është “demokrat i përsosur”.