Qeveria është përgjegjëse për korrupsionin
Vetëvendosje thotë se Qeveria mban përgjegjësinë pse Transparency International e radhiti Kosovën poshtë në mesin e vendeve ku korrupsioni është i përhapur.
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj raportit të organziatës Transparency International e cila e radhit Kosovën poshtë ndër vendet në të cilat është e përhapur kjo dukuri.
Me anë të një komunikate, vetëvendosje ka shprehur shqetësimin për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë.
“Transparency International, në raportin e fundit, vë në dukje përshkallëzim të mëtutjeshëm të valës së korrupsionit në Kosovë. Ky raport e vendos Kosovën në vendin e 111 në renditjen e shteteve me probleme të mëdha të korrupsionit. Ky vend i përket zonës së kuqe dhe e rreshton Kosovën krahas vendeve me probleme alarmante të korrupsionit”.
Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është shqetësues fakti se Republika e Kosovës në mënyrën e qeverisjes gjithnjë e më shumë po identifikohet me shtetet ku vendosja e drejtësisë është në kufijtë e së pamundurës, duke vështirësuar kështu zhvillimin dhe prosperitetin si dhe aspiratën për e shoqërisë për vlerat perëndimore e evropiane.
“Ne e mbajmë përgjegjëse për këtë përhapje katastrofike të praktikave korruptive, Qeverinë e Kosovës. Aferat e shumta të viteve të kaluara në të cilat janë përfshirë zyrtarët më të lartë të kësaj Qeverie jo vetëm që kanë njollosur imazhin e vendit por dhe po e rrënojnë të ardhmen e tij”.
“Paaftësia e Qeverisë së Kosovës që të distancohet nga bartësit e këtyre aferave është tregues se kemi të bëjmë me një Qeveri të kapur nga krimi dhe korrupsioni”, thotë Vetëvendosje.