Qeveria e Unitetit – Gërvalla: Kemi nevojë për unitet për shtet e jo për pushtet
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është deklaruar sot për media në lidhje me bllokimin që i është bërë konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të votojnë edhe kundër nëse duan. “Shkelja çdo 48 orë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese…

Lajme
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është deklaruar sot për media në lidhje me bllokimin që i është bërë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ajo i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të votojnë edhe kundër nëse duan.
“Shkelja çdo 48 orë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila thotë se deputetët duhet të marrin pjesë në votim, nuk është në rregull. Janë bërë 4 javë që kur është adresuar Gjykata Kushtetuese për procesin e votimit të fshehtë dhe ende nuk e kemi një përgjigje. E di që ka pas ditë festash, mirëpo është kohë që Gjykata të thotë fjalën e vet dhe të vazhdojmë në këtë proces”, ka thënë ajo.
Në lidhje me Qeverinë e Unitetit të propozuar nga LDK, ka thënë se “kemi nevojë për unitetit për shtet e jo për pushtet”.
“Uniteti për shtet demonstrohet duke u konstituuar Kuvendi dhe jo duke u bllokuar Kuvendin i cili e pamundëson edhe të gjitha procedurat e tjera vijuese. Jam e bindur që vota e fshehtë është instrumenti më demokratik në shoqëri demokratike dhe çdo lloj arsyetimi që vota e fshehtë qenka shkelje e Kushtetutës e ka shpërfaqur vullnetin për të mos ecur përpara. Kemi pasur ca ditë kur opozita si duket mendonte që i kanë votat për të bërë Qeveri vetë dhe e zhbllokuan procesin e parë, atë të mosvotimit të mandateve të tyre si deputetë mirëpo pas asaj faze shifrat po flasin qartë. Tani kanë mbetur mes dy rrugësh, as nuk janë ata që preferojnë zgjedhjet e reja as ata që e sfidojnë kandidatin tonë për kryeministër, Albin Kurtin në bërjen e Qeverisë”, ka thënë Gërvalla. /Lajmi.net/