Qeveria e pasigurt për shitjen e PTK’së
Qeveria e Kosovës ka shfaqur shenja të qarta pasigurie për shitjen e PTK’së. Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se Qeveria e Kosovës mund të realizojë të gjitha investimet kapitale, edhe pa shitjen e kësaj kompanie.

Lajme
Qeveria e Kosovës ka shfaqur shenja të qarta pasigurie për shitjen e PTK’së.
Në kohën kur ekzekutivi kosovar është në vlugun e përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm, Ministri i Financave Besim Beqaj ka thënë se janë duke u planifikuar dy skenarë për hartimin e tij – ai me paratë e kompanisë më profitabile kosovare (PTK) dhe skenari pa shitjen e tij.
Beqaj është takuar të martën me Shefin e Delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Johannes Wiegand, i cili është pajtuar me dy skenarët e buxhetit.
“Kemi krijuar dy skenarë. Është skenari me shitjen e PTK’së dhe ai pa shitjen e PTK’së. Edhe skenari pa PTK’në, ne do të jemi të gatshëm konform buxhetit t’i realizojmë të gjitha prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”
“Ajo që mund të konfirmoj sot për qytetarët e Kosovës është se ne do të kemi stabilitet buxhetor në vitin 2014”.
Wiegand tha se është diskutuar në pika të përgjithshme planifikimi i buxhetit, ndërsa diskutimet për buxhet do vazhdojnë muajin e ardhshëm në Washington.
“Është pak herët që të hyjmë në detaje për buxhetin e vitit 2014, por jemi pajtuar në pika të përgjithshme, gjithashtu edhe për dy skenarët e PTK’së”.
Privatizuesi i PTK’së, AXOS, ka kohë që deri më 30 shtator ta nënshkruajë kontratën e blerjes.