Qeveria e Kosovës ndan 200 mijë euro për organizimin e Olimpiadës Matematike për vajza

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dje ka njoftuar se të premten gjatë mbledhjes së Qeverisë është marrë vendim për ndarjen e 200 mijë eurove për organizimin e Olimpiadës Matematike për vajza (EGMO 2025). “Kjo Olimpiadë do të mbahet për herë të parë në Kosovë, dhe organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës. Ky do të…

Lajme

13/10/2024 08:16

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dje ka njoftuar se të premten gjatë mbledhjes së Qeverisë është marrë vendim për ndarjen e 200 mijë eurove për organizimin e Olimpiadës Matematike për vajza (EGMO 2025).

“Kjo Olimpiadë do të mbahet për herë të parë në Kosovë, dhe organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës. Ky do të jetë një organizim prestigjioz ndërkombëtar që do të mbahet nga data 11 deri në 17 prill 2025 në Prishtinë ku do mbledh vajzat më të talentuara si dhe matematikanët më të shquar nga e gjithë bota.”

Nagavci ka thënë se EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj.

“Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë. Që nga marrja e mandatit si Qeveri, kemi ofruar mbështetje shumëdimensionale për matematikanët e rinj, mes të tjerash përmes subvencioneve të përvitshme për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, dhe mbështetje për pjesëmarrjen e tyre në gara ndërkombëtare. Kosova do të ketë jo vetëm një organizim historik, por edhe përfaqësim dinjitoz të vajzave tona. Sot dhe çdo ditë për vajzat tona, sot dhe çdo ditë për të rinjtë, për vendin tonë!”