Qeveria e Kosovës manipuloi me nismën për faljen e borxheve?

Qeveria e Kosovës me nismën për të falur borxhet e qytetarëve nga viti 1999 e deri në 2008,ka mashtruar qytetarët. Borxhet mbi 6 vjet të vjetra, janë ligjërisht të pambledhshme, behet e ditur nga Zyra e Auditorit Gjeneral.

Lajme

07/02/2015 12:07

Qeveria e Kosovës ka falur borxhe që nuk ekzistojnë. Ata kanë falur 132.5 milionë euro tatime të cilat nuk ekzistojnë si borxhe dhe nuk mund të mblidhen.

Bëhet fjalë për borxhet mbi 6 vjet të vjetra, të cilat janë ligjërisht të pambledhshme. Këtë e thotë qartë edhe Zyra e Auditorit Gjeneral (ZAGJ) në Raportin e Auditimit për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

“Nga  analizat  e  bëra,  borxhet  më  të  vjetra  se  6  vjet  (përfshijnë periudhën 2000-2006) kanë arritur në vlerën 104 milion €. Kjo shumë e borxhit është bërë ligjërisht e pambledhshme. Ndërsa borxhet kritike që gjatë vitit 2012 kanë kaluar në borxhe më të vjetra se 6  vite janë 22 milion euro”, thuhet në raportin e ZAGJ.

Në tabelën e ZAGJ të cilën e posedon Gazeta Fjala, kur kalkulohet edhe pjesa e mbetur, pra deri me 2008, borxhet e vjetruara që automatikisht kalojnë në kategori të borxheve të pambledhshme pa pasur nevojë për vendim qeveritar arrijnë në 132,417,356.00 euro.

Mbi 46 milionë euro janë tatime të papaguara, mbi 30 milionë euro janë ndëshkime, përderisa pjesa më e madhe, përkatësisht 66 milionë euro janë kamata, të cilat i aplikon ATK për vonesa.

Krejt kjo për mungesë të efikasitetit të ATK-së për tu marrë seriozisht me këtë çështje.

Edhe auditori kishte tërhequr vërejtjen se ATK nuk po e kryen punën si duhet.

Kështu sipas kësaj praktike del se ATK duhet t’i shlyejë nga serverët e vet edhe shumë borxhe tjera, përafërsisht nga 20 milionë euro çdo vit./gazetafjala/