Qeveria dënon dhunën në Kuvend, fton Opozitën që të heqë dorë nga akte të tilla
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas përdorimit të gazit lotsjellës nga ana e deputeteve të partive opozitare në seancën e sotme të Kuvendit.

Lajme
Në një reagim, Qeveria e Kosovës, vlerëson se me këtë veprim është rrezikuar jeta e të zgjedhurve të popullit.
Qeveria ka vlerësuar se akte të tilla janë të papranueshme duke u bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga këto veprime.
Ja reagimi i plotë i Qeverisë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës.