Qentë sulmojnë një person në Ferizaj, pronari i tyre pastaj kanos viktimën
Një rast i pazakontë ka ndodhur në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt, ku një person ka pësuar lëndime trupore pasi është kafshuar nga një qen gjatë një përleshjeje mes disa kafshëve. Rasti ka marrë përmasa më të mëdha kur njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë gjuetie në ajër dhe ka kanosur viktimën.…
Lajme
Një rast i pazakontë ka ndodhur në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt, ku një person ka pësuar lëndime trupore pasi është kafshuar nga një qen gjatë një përleshjeje mes disa kafshëve. Rasti ka marrë përmasa më të mëdha kur njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë gjuetie në ajër dhe ka kanosur viktimën.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima, një mashkull kosovar, ka raportuar se disa qen që ishin në pronësi të dy personave të tjerë e kishin sulmuar qenin e tij. Gjatë përpjekjeve për t’i ndarë, ai është kafshuar në disa pjesë të trupit dhe ka pranuar trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë gjetur një gëzhojë fisheku të pushkës së gjuetisë. Gjatë bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve, policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie me leje dhe nëntë fishekë.
“Fsh. Prelez i Jerlive, Ferizaj 29.10.2025 – 10:00. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se disa qenë të dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, ia kishin sulmuar qenin e tij që e kishte pas me vete dhe gjatë përpjekjes për t’i nda ishte kafshuar në disa pjesë në trup nga njëri prej qeneve të të dyshuarve. Si pasojë viktima kishte pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me armë gjuetie në ajër me qëllim për t’i zmbrapsur larguar qentë dhe kishte kanosë viktimën”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Më tej thuhet se njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë gjete dhe konfiskuar një gëzhojë fisheku të pushkës së gjuetisë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpitë e të dyshuarve kanë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë gjuetie me leje dhe 9-copë fishekë të pushkës së gjuetisë. Në konsultim me prokurorin të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.