Qëndrimet e Kurtit largojnë ‘Contour Global’-in nga Kosova, Qeveria nuk është në dijeni

“Contour Global”, ka vendosur që të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Lajme

17/03/2020 18:38

Gjatë ditës së sotme kompania “Contour Global” ka bërë të ditur se ka vendosur të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

Sipas njoftimit të “Contour Global”, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen dhe se arsye kryesore ka qenë edhe situata politike e krijuar në vend, e në veçanti, kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje në kohën sa ishte në opozitë, shkruan lajmi.net.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara. Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhej në njoftimin për medie të “Contour Global”.

Mirëpo nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për lajmi.net, se deri më tani nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga kompania “Contour Global”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në këtë situatë ekzekutivi nuk mund të thotë asgjë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga “Contour Global” i cili sugjeron atë së çfarë është raportuar në medie. Prandaj, ne nuk mund të komentojmë asgjë në atë drejtim”, ka deklaruar Kryeziu për lajmi.net.

Lexo edhe: 

Sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës pritet të përshkallëzohen – do të ‘godasin’ tre sektorë

Duhet theksuar se, Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliardë euro.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihej në punë në vitin 2023.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. /Lajmi.net/